75 Mall Live Search
08:23 / E Diele, 11 Gusht 2024 / LB

Çka thone analistët për insistimin e Qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit

Insistimin për hapjen e Urës së Ibrit nga ana e Qeverisë së Kosovës, përkundër kundërshtimit të BE-së dhe ShBA-së, njohësit e çështjeve politike po e konsiderojnë si “spektakël elektoral” nga Lëvizja Vetëvendosje pasi që vendi është në prag të zgjedhjeve.

Ata kanë thënë se VV-ja është duke e shfrytëzuar këtë situatë, sidomos raportin e keq mes shqiptarëve dhe serbëve, për të fituar votat e qytetarëve.

Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla, ka thënë se veprimet e njëanshme të Qeverisë mund ta përkeqësojnë situatën deri në atë pikë që “të mos ketë kthim mbrapa” dhe se integrimi i veriut nuk mund të bëhet në këtë mënyrë.

Ai ka thënë se është iluzion që Kosova mund ta shtrijë autoritetin e saj në çdo cep të vendit pa koordinim me aleatët.

“Është iluzion të mendohet se ne mund të shtrijmë autoritetin e  Kosovës në çdo cep të vendit pa koordinim me aleatët tanë të cilët janë edhe sponsorë të Pavarësisë së Kosovës. Do të doja të ishte ndryshe, mirëpo ky është realiteti. Gjatë gjithë rrugëtimit tonë, kemi qenë në koordinim me  partnerët ndërkombëtarë specifikisht me ShBA-në”.

“Veprimet e njëanshme qojnë në përkeqësimin e situatës dhe kthimin në një situatë e cila mund të mos ketë kthim mbrapa. Ne kemi dhënë një sinjal duke i përjashtuar dhe frikësuar serbët, kështu që edhe opozita edhe presidenca duhet ta bëjnë të qartë këtë qëndrim të tyre dhe nuk duhet t’i bashkohen korit të thirrjeve nacionaliste për të ndërtuar një narracion apo një kauzë e cila absolutisht nuk qëndron. Nuk mund të bëhet integrimi i veriut në këtë formë”, ka thënë ai.

Syla ka thënë se Qeveria me këtë qasje nuk është duke e bërë integrimin e serbëve, por është duke bërë spektakël elektoral pasi që vendi është në prag të zgjedhjeve.

Ai ka shtuar se prova më e mirë për këtë është pjesëmarrja e vogël e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e kaluara në katër komunat e veriut.

“Ju po e shihni që vazhdimisht kemi sulme sporadike me bomba, eksplozivë, gjetje të armëve dhe mendoj që kjo është një heshtje e përkohshme e strukturave që dirigjohen direkt nga Vuçiqi për shkak se i konvenon paraqitja si viktimë e qytetarit serb të Kosovës. Dëshmia më e qartë për këtë janë zgjedhjet e fundit që u mbajtën ku me thirrjen nga Vuçiqi as edhe një përqindje minimale  e qytetarëve serbë të Kosovës nuk iu përgjigjën thirrjeve për zgjedhje në katër komunat e veriut. Me një fjalë nëse vazhdojmë me këtë qasje vetëm jemi duke e thelluar hendekun dhe nuk jemi duke bërë integrimin e serbëve, por jemi duke bërë spektakël elektoral pasi që jemi në prag të zgjedhjeve, por kjo aspak nuk do ta ndryshojë situatën”, ka thënë ai