Çka thonë analistët për zgjedhjen e presidentit të ri në mars?
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar një lloj parafushate në rrjetet e saj sociale, ku po promovon punën e saj pesëvjeçare. Kjo vjen në një kohë kur në opinion po flitet se emri i saj mund të propozohet edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë për KosovaPress se pozita e presidentes aktuale është e vështirë për shkak të ndryshimeve në kontekstin politik krahasuar me vitin 2021, kur ajo u zgjodh për herë të parë.
Sipas tij, çdo gjë do të varet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit që i fitoi bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kjo, për faktin se Osmani e Kurti nuk ishin gjithmonë në linjë të njëjtë karshi zhvillimeve në vend dhe atyre ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo parafushatë e presidentes, përveç presionit publik medial ndaj Kurtit, synon edhe krijimin e një arsyetimi në rast se ajo nuk rikandidohet, në mënyrë që të mbahet mend si lidere e suksesshme.
Ndërkohë, analisti tjetër politik, Dorajet Imeri, ka vlerësuar se komunikimi i Osmanit me publikun është i pritshëm, por nuk është vendimtar për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Për tepër, Imeri thotë se një pjesë e punëve që po prezanton Osmani në rrjete sociale nuk janë të saj.
Ai ka shtruar edhe pyetjen se pse presidentja Osmani nuk flet me LDK-në në vend të parafushatës, për të ofruar ofertën dhe qëndrimet e saj për të qenë e para e vendit, edhe për në mandat.
Presidentja Osmani ka disa ditë që po publikon video përmbledhëse të takimeve zyrtare gjatë mandatit pesëvjeçar të saj. Ajo ka publikuar fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përballë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Më pas edhe një video midis ushtrisë amerikane në akademinë e në Ëest Point, si edhe në Parlamentin Evropian, e poashtu edhe vizitën e presidentin e SHBA-së Donald Trump, në seli të NATO-s dhe plot vizita të tjera. Të gjitha këto, me mbishkrimin “Kur Kosova flet me dinjitet, bota dëgjon. Zëri i Kosovës po fuqizohet çdo ditë. Shpërndaje edhe ti, që ta dëgjojnë të gjithë”.
Osmani më 4 prill të vitit 2021, ishte zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.
Nëse deri më 5 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.

