20:08 / E Mërkurë, 27 Korrik 2022 / AR

Çka thotë Komuna e Dragashit pasi i dërgoi faturën e tatimit në pronë familjes së dëshmorit

Komuna e Dragashit i ka dërguar “faturën e tatimit në pronë”, Elbasan Bahtijarit, djalit të dëshmorit të kombit, Ilmi Bahtijari nga fshati Blaq, i cili kishte shprehur shqetësimin e tij lidhur me këtë gjë.

Drejtori i Ekonomisë në Komunën e Dragashit, Qamil Kolloni, për Indeksonline ka deklaruar se vendimi nuk është marrë nga Komuna e Dragashit por Ligji i vendosur në vitin 2018 e thotë një gjë të tillë, dhe se komuna e ka zbatuar atë ligj.

Ai theksoi se nuk është prekur vetëm familja e dëshmorit Ilmi Bahtijari, por nga ky ligj janë prekur të gjitha familjet e dëshmorëve dhe atyre të dala nga lufta.

Në anën tjetër Komuna e Dragashit ka dalë me një sqarim ku theksojnë se Zyra e tatimit në pronë në komunë dhe departamenti i tatimit në pronë pranë Ministrisë së Financave zbatojnë ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2018.

Ata shprehin vullnetin që të gjitha këto kategori të lirohen nga obligimet e tatimit në pronë por që në bazë të ligjit, nuk kanë të drejtë./Indeksonline/