19:53 / E Hënë, 26 Gusht 2019 / indeksADMonline

Çka u bisedua në takimin mes LDK-së dhe LVV-së?

Besnik Bislimi nga Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar rreth takimit të orëve të pasdites ndërmjet kryetarit të kësaj partie Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, e ku morën pjesë edhe Glauk Konjufca nga VV-ja, e nominuara për kryeministër nga LDK-ja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri.

Temë kryesore e bisedimeve ishte diskutimi i mundësive për krijimin e një koalicioni parazgjedhor, i cili do të kthente shpresën përfundimisht te qytetarët për një ndryshim thelbësor të modelit qeverisës në vend, shkruan Bislimi në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se në takim janë dakorduar që qeveria në ardhje si prioritet kryesor duhet të ketë çkapjen e shtetit nga Klani Pronto, duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, e gjithë kjo si parakusht për fokusim në politika që krijojnë vende pune dhe rrisin mirëqenien.

“Lëvizja Vetëvendosje ka mbi 10 muaj që ka dërguar një propozim konkret te Mustafa për modalitetet e ndërtimit të qeverisjes së ardhshme si dhe prioritetet kyçe, dhe mund të themi që nga ajo ditë nuk ka ndryshuar as edhe një germë nga kjo. Kjo vlen edhe për bindjen tonë që ky opsion do të krijonte sinergjinë e duhur duke e vendosur në krye të saj Albin Kurtin, me mundësi të dakordimit për një periudhë prej dy mandateve dhe rotacion. E shoh si shumë të rëndësishëm faktin që si nga Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe nga LDK u zotuam se në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk do ketë takime me cilindo nga subjektet tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Si LVV ashtu edhe për LDK ka vetëm një partner strategjik për ndërtimin e qeverisë së ardhshme. Na mbeten edhe tri ditë për të arritur marrëveshjen aq të pritur nga shumica dërrmuese e qytetarëve të vendit”, shkruan Bislimi.

Ndryshe, pas takimit sonte ndërmjet zyrtarëve të Lëvizjes vetëvendosje dhe atyre të LDK-së nuk ka pasur prononcime për media.