Clifford May: Trump duhet të përfshihet globalisht për ta bërë “Amerikën madhështore sërish”

Donald Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë me një mesazh të qartë për botën: “Amerika e Para”. Tani, pak më shumë se 100 ditë në mandatin e tij të dytë, kjo doktrinë e politikës së jashtme – e dalluar nga skepticizmi ndaj aleatëve, përçmimi për institucionet globale dhe preferenca për diplomacinë transaksionale – është sërish nën llupë.
“Ka shpërputhje, të paktën kështu më duket mua, mes sloganeve ‘Amerika e Para’ dhe ‘Bëje Amerikën madhështore sërish’”, tha Clifford May, themelues i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).
“Që të jetë ‘e madhe përsëri’, Amerika duhet të udhëheqë. Dhe, nuk mund të udhëheqë nëse i lëshon rrugë kundërshtarëve si Kina komuniste, sepse pikërisht ky është synimi i [presidentit] Xi Jinping”, tha ai.
Radio Evropa e Lirë foli me May në kuadër të një serie intervistash për ndryshimet në politikën e jashtme të Amerikës, transmeton Klankosova.tv.
Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump i qortoi anëtarët e NATO-s për shpenzimet e ulëta në mbrojtje, përballë rritjes së agresivitetit të Rusisë; ka dënuar sistemin tregtar global si të njëanshëm ndaj interesave amerikane dhe ka sanksionuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Brenda vendit, Trump po lufton si emigracionin e ligjshëm ashtu edhe atë të paligjshëm, dhe po e kufizon ndihmën e jashtme. Këto veprime shihen nga kritikët si pjesë e një tërheqjeje më të gjerë të SHBA-së nga udhëheqja globale.
Derisa disa mbështetës të tij argumentojnë se Amerika duhet të përqendrohet brenda për të përballuar deindustrializimin, pabarazinë në rritje dhe emigracionin masiv, May thotë se tërheqja nga bota mund të jetë në kundërshtim me vetë qëllimin e presidentit për ta ruajtur përparësinë globale të SHBA-së.
May, i cili e themeloi FDD-në pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ka qenë prej kohësh mbështetës i angazhimit të fuqishëm amerikan në botë.
Organizata që ai drejton, e vetëpërshkruar si jopartiake, është e njohur për mbështetjen e fortë ndaj Izraelit dhe Ukrainës.
May e filloi karrierën si gazetar, shpesh duke raportuar jashtë vendit. Ai më pas shërbeu si drejtor për komunikim në Komitetin Kombëtar Republikan gjatë zgjedhjeve të vitit 2000 dhe në vitin 2008 u emërua nga presidenti George W. Bush në Bordin e Guvernatorëve të Transmetimeve, agjencia qeveritare amerikane përgjegjëse në atë kohë për REL-in dhe transmetues të tjerë të financuar nga shteti.
May argumentoi se bota sot është më e rrezikshme se gjatë Luftës së Ftohtë – një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik garonin për ndikim global në një përballje bërthamore.
Ai thotë se SHBA-ja përballet jo vetëm me Moskën, por edhe me një “bosht agresorësh” që përfshin Pekinin, Phenianin dhe Teheranin.
Synimi i tyre i përbashkët, sipas tij, është ta rrënojnë rendin liberal të udhëhequr nga SHBA-ja dhe ta zëvendësojnë me një rend joliberal.
“Kjo është një Luftë e Ftohtë më sfiduese se e mëparshmja”, tha May. Pavarësisht dallimeve ideologjike – komunizmi i Kinës dhe Koresë së Veriut, teokracia islamike e Iranit dhe neo-imperializmi i Rusisë – ai hedh poshtë idenë se bashkëpunimi i tyre është thjesht oportunist.
Kina, Koreja e Veriut dhe Irani po mbështesin materialisht luftën e Rusisë në Ukrainë me raketa, dronë dhe sisteme të tjera armësh. Pheniani madje ka dërguar mbi 11.000 trupa për të ndihmuar, ndërsa Rusia mund t’u ofrojë teknologji të ndjeshme për nëndetëse Kinës dhe Koresë së Veriut në këmbim, sipas admiralit Samuel Paparo nga Komanda Indo-Paqësore e SHBA-së.