“Çmendet” moti në Gjermani, temperatura deri në 40 gradë, disa zona zbardhen nga breshri

Europa po përballet me një valë të re të motit ekstrem, mes temperaturave përvëluese, zjarreve të egra dhe stuhive. Gjermania është një nga vendet më të goditura nga kontrasti dramatik mes vapës dhe motit të keq. Të mërkurën dhe sot, temperaturat në disa zona arritën deri në 40°C, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në pyje dhe duke shkaktuar paralajmërime të shumta nga autoritetet.
Ndërkohë që dielli përvëlon pjesën më të madhe të vendit, disa rajone jugore, përreth liqenit Konstanz, janë goditur nga stuhi të papritura breshri. Në komunën Sipplingen, breshri arriti madhësinë deri në pesë centimetra, duke dëmtuar makina dhe duke bllokuar rrugët. Ekipet e emergjencës përdorën automjete speciale për të pastruar rrugët nga breshri i pazakontë për një ditë vere, shkruan A2 CNN.

Shërbimi Kombëtar i Motit në Gjermani paralajmëroi për përmbytje të mundshme, erëra të forta deri në 90 km/h dhe reshje intensive shiu që shoqërojnë këto stuhi. Në veri të vendit, valët e të nxehtit kanë dëmtuar edhe infrastrukturën, duke bërë që disa segmente autostradash të deformohen dhe duke rrezikuar drejtuesit e mjeteve.

Në Harz, një prej zonave më të njohura pyjore, janë raportuar disa vatra zjarri që u përhapën me shpejtësi për shkak të temperaturave ekstreme dhe thatësisë. Rreth 150 zjarrfikës janë angazhuar për të frenuar flakët, ndërsa reshjet e papritura pritet të ndihmojnë në shuarjen e tyre.
Ekspertët tërheqin vëmendjen se ky kontrast midis të nxehtit përvëlues dhe stuhive të dhunshme është tregues i drejtpërdrejtë i ndryshimeve klimatike.