75 Mall Live Search
14:26 / E Enjte, 13 Nëntor 2025 / S Z

Çmimet e naftës bien mes rritjes së ofertës

Çmimet e naftës ranë sot ndërsa shqetësimet për një rimëkëmbje të ofertës globale dhe një perspektivë më të dobët të kërkesës vazhduan të ushtronin presion mbi tregun.

Çmimi i naftës së papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 62.51 dollarë për fuçi në orën 09:36 të mëngjesit sipas kohës lokale (06:36 GMT), duke rënë me 0.03% nga mbyllja e mëparshme prej 62.53 dollarësh, raporton Anadollu, përcjell KosovaPressi.

Nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) gjithashtu ra me rreth 0.01% në 58.43 dollarë, krahasuar me 58.44 dollarë në seancën e mëparshme.

Sinjalet e dobëta të kërkesës nga SHBA-js, konsumatori më i madh i naftës në botë, ushtruan presion mbi çmimet. Instituti Amerikan i Naftës (API) vlerësoi se inventarët e naftës së papërpunuar komerciale në SHBA u rritën me 1.3 milionë fuçi javën e kaluar.

Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA) do të publikojë të dhëna zyrtare më vonë gjatë ditës.

Për më tepër, raporti i EIA-s për perspektivën afatshkurtër të energjisë për nëntorin 2025 parashikoi një rritje të mëtejshme të prodhimit të naftës së papërpunuar në SHBA, duke kontribuar në ndjenjën negative. Agjencia pret që prodhimi i naftës së papërpunuar në SHBA të jetë mesatarisht 13.59 milion fuçi në ditë këtë vit dhe 13.58 milionë fuçi në ditë vitin e ardhshëm.

EIA-ja gjithashtu parashikoi që furnizimi global me naftë të jetë mesatarisht 105.98 milionë fuçi në ditë këtë vit dhe 107.37 milionë fuçi në ditë në vitin 2026, ndërsa konsumi global pritet të jetë 104.14 milionë fuçi në ditë në vitin 2025 dhe 105.20 milionë fuçi në ditë në vitin 2026.

Ndërkohë, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) tha në raportin e saj mujor të tregut të naftës të publikuar të mërkurën se prodhimi i naftës bruto të grupit u rrit me 33,000 fuçi në ditë (bpd) në tetor krahasuar me muajin e kaluar, duke arritur në 28.46 milionë fuçi në ditë.

Këto shifra sugjerojnë se rimëkëmbja globale e furnizimit vazhdon, ndërsa rritja e kërkesës mbetet e ngadaltë, duke përforcuar presionin në rënie mbi çmimet e naftës.

Tregjet tani po presin raportin mujor të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) për një pasqyrë të mëtejshme mbi trendin global të kërkesës.