Çmimi i derivateve nuk duhet të ndikojë në rritjen e çmimeve të tjera në treg

Më shumë se një muaj çmimet në tregjet kosovare kanë pësuar rritje të madhe.
Arsyetimi për këtë është rritja e çmimeve të derivateve.
Mirëpo, Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se sa i përket rritjes së çmimeve në gjërat ushqimore nuk ka ndikim aspak çmimi i derivateve.
“Kemi rastin vitin e kaluar ku çmimi i derivateve ka qenë në shitje 78 cent në Kosovë, por marketet kanë abuzuar me çmimet të larta. Ne naftarët nuk kemi dëshirë që të jenë këto çmime por na u imponohen nga Berza dhe OPEC. Këto çmime kanë kapluar botën.
Sa i përket çmimit të biletave të autobusit normale që ndikon edhe rritja e çmimeve të naftës, por s ai përket rritjes së çmimeve në gjëra ushqimore nuk ka ndikim aspak. Këto çmime të derivateve i kemi që nga 1 tetorit”, tha ai.
Kurse, Berjani duke arsyetuar çmimin e lartë të derivateve tha se kur ka reduktim të prodhimit rriten edhe çmimet.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore e cila ka diesel-in më të lirë për shkak të akcizës.
“Çmimet në Kosovë sillen: Diesel 1.18 deri në 1.26, benzina 1.22 deri në 1.31 Ne kemi çmimet më të lira se Bosna, Mali i Zi, Serbia e Shqipëria”, shtoi ai./IndeksOnline/
