75 Mall Live Search
12:07 / E Hënë, 20 Qershor 2022 / AR

Ç’nënkupton postimi i papritur i Alketa Vejsiut për Arilena Arën?

Përmes një postimi të papritur në Instagram – komentet e të cilit janë të bllokuara – Alketa Vejsiu duket se paralajmëroi për projekte të ardhshme me Arilena Arën.

“Ky përqafim vlen sa 1,000 fjalë. Më fal, Arilena. Të dua. Duke pritur për gjëra të bukura së bashku,” shkruan Vejsiu në videon me pamje të vjetra nga “X Factor” ku Arilena shfaqet duke e përqafuar.

Pse ky postim ishte i papritur? Kthehemi pas në kohë, në dhjetor të vitit 2019. Pas përfundimit të Festivalit të (shumëpërfolur asokohe të) Këngës, ra në sy mungesa e një postimi nga ana e Vejsiut për fituesen e festivalit, Arilenën. Alketa, ndonëse përgëzoi Arilenën për fitoren, u ndal gjatë tek Elvana Gjata, e renditur në vendin e dytë, duke i kërkuar ndjesë publikut të zhgënjyer.

“I uroj suksese Arilenës për fitoren! Sa më mbarë për Shqipërinë në Eurovizion. Por, nuk mund të lë pa falenderuar Elvana Gjatën! Atë që u klikua në 2 javë më shumë se të gjithë. Nuk mund ta mohoj që kënga e saj ishte festa e këtij Festivali. Që Elvana ishte lajmi i këtij edicioni, zëri dhe energjia e rinisë që vallëzoi në një sallë të ngurtë, që bëri bashkë Shqipërinë, Kosovën dhe diasporën! Garat shpallin fitues, por jo humbës sepse hitet nuk vdesin kurrë.” – shkroi ndër të tjera ajo.

“Besoj tek meritokracia dhe më vjen thellësisht keq, që në platformën e këtij festivali nuk munda do t’i jap zë, zërit të publikut. Më falni nëse ju kam zhgënjyer! Kuptoj dhe respektoj ndjeshmërinë tuaj! M’i kurseni akuzat ju lutem. Unë nuk isha juria dhe jurinë s’e zgjodha unë! Elvana faleminderit! Ti erdhe në këtë festival sepse besove tek vizioni im. Ti s’kishe nevojë për garë për të konfirmuar atë që je sepse ti thjesht Je!”

Po në të njëjtën ditë me postimin asokohe, Alketa dhe Arilena nuk ndiqeshin më në Instagram, gjë që padyshim u komentua gjatë nëpër media duke marrë në konsideratë raportin që Arilena, fituesja e “X Factor Albania 2”, kishte me dyshen Grabocka-Vejsiu.

Kthehemi në 2022-shin. Pak ditë më parë, Alketa Vejsiu njoftoi se do të rikthehet “X Factor Albania” pas 7 vitesh. Burime për Anabel.al thonë se një nga bashkëpunëtorët e regjisores Vera Grabocka në “X Factor” është Popi Kola, menaxheri i Arilenës.

Thënë këto, postimi i Vejsiut mund të nënkuptojë se Arilena do të jetë anëtare jurie në “X Factor”, një pozicion që do t’i qëndronte mirë duke iu referuar faktit se ka qenë pjesë dhe fituese e konkursit muzikor dhe gjithashtu ka përvojë si anëtare jurie në “The Voice of Albania”, një format disi i ngjashëm me “X Factor”.

Për momentin, Arilena nuk ka bërë asnjë reagim (dhe ndryshe nga Vejsiu, nuk e ndjek në Instagram këtë të fundit), por nëse analiza jonë rezulton e vërtetë, ndoshta nuk do të vonojë që edhe Arilena të hedhë pas hatërmbetjet e së kaluarës.