“CNN duhet të shitet”, Trump ndërhyn në favor të Paramount
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se “CNN duhet të shitet”, duke komentuar blerjen e Warner Bros nga Netflix për 72 miliardë dollarë. Trump theksoi se në çdo marrëveshje të mundshme “duhet të ketë garanci që CNN të jetë pjesë e saj, ose të shitet veçmas”. Sipas tij, “CNN duhet të shitet bashkë me çdo aset tjetër”.
Oferta e Netflix për Warner Bros. Discovery përfshin vetëm studion filmike dhe platformat e transmetimit online, duke përjashtuar rrjetet televizive si CNN, të cilat do të kalonin në një kompani të re me emrin Discovery Global.
Ndërkohë, oferta konkurruese e Paramount për blerjen e Warner Bros. Discovery, kompania mëmë e CNN, përfshin vetë CNN dhe rrjetet tradicionale kabllore. Paramount ka paraqitur një propozim më agresiv, duke ofruar një çmim më të lartë për aksionet dhe pagesë të plotë në para, ndryshe nga oferta e kombinuar e Netflix (me para dhe aksione).
Nëse marrëveshja e Netflix realizohet, CNN dhe rrjetet e tjera kabllore do të ndahen nga studioja dhe shërbimet streaming (HBO, HBO Max), duke u vendosur në një kompani të re të pavarur./Panorama.com

