75 Mall Live Search
07:58 / E Hënë, 15 Shkurt 2021 / C E

Conte: Fitorja me Lazion një pikënisje, Eriksen e Perisiç më ofrojnë garanci

I qetë, i lumtur dhe krenar u shfaq Antonio Conte në konferencë për shtyp në fund të ndeshjes mes Interit e Lazios, ku zikaltrit fituan me rezultatin 3-1 dhe ia dolën të parakalojnë Milanin në renditjen e kampionatit.

“Është e vërtetë që parakalimin e kishim si objektiv prej disa javësh dhe po ndiqnim Milanin, por ia dolëm ta arrijmë vetëm tani para derbit. Është shumë e rëndësishme të shkojnë në derbi si kryesues, por kjo e sotmja ishte më shumë një pikënisje, pasi destinacioni ynë është tjetër. Kemi luajtur kundër një kundërshtari mjaft të fortë si Lazio, që ka fituar disa ndeshje radhazi dhe vendoset shumë mirë në fushë”, tha Conte.

Deri para pak javësh Cristian Eriksen dhe Ivan Perisic dukeshin si “mish i huaj’ në Interin e Contes, por mbrëmjen e sotme dhanë një tjetër provë se janë bërë pjesë e lojës së skuadrës dhe mund të luajnë pa problem si titullarë.

“Është e vështirë të flas për emra, por Eriksen tani ka kuptuar më mirë futbollin italian, ku duket të jesh shumë i angazhuar edhe taktikisht. Së fundi ka përmirësuar mirë edhe italishten, çka i jep mundësi të komunikojë më mirë me shokët e skuadrës edhe në fushën e lojës, ndaj mund të them me bindje se tani ka bërë një hap më shumë drejt skuadrës dhe unë mund ta aktivizoj si titullar pa problem, pasi më jep garanci. Edhe Perisic ka punuar shumë në rolin e anësorit dhe sot tregoi përmirësim të ndjeshëm në fazën mbrojtëse. Është një lojtar i shpejtë, që përdor mirë të dy këmbët dhe ka aftësi teknike të larta, ndaj me përmirësimin në mbrojtje, është një alternativë më shumë për ne”, tha tekniku zikaltër.