Conte: Luajtëm mirë dhe meritonim kualifikimin, por na e mohoi Ospina

Interi nuk ia doli të përmbysë humbjen në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë përballë Napolit, pasi mbrëmjen e djeshme në “San Paolo” nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, duke i dhënë lamtumirën këtij kompeticioni.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri i zikaltërve Antonio Conte nuk e fshehu zhgënjimin për eliminimin, por theksoi se për lojën e shfaqur në të dy ndeshjet, skuadra e tij meritoi që të kalonte në finale.
“Duke parë në tërësi të dy ndeshjet, meritonim kalimin në finale, pasi kemi dominuar dhe krijuar raste të shumta, por në fund vlen rezultati dhe këtë herë nuk ka qenë në favorin tonë. Edhe sonte krijuam shumë, por Ospina ishte më i miri në fushë, duke bërë disa pritje të jashtëzakonshme”, u shpreh Conte.
Tekniku zikaltër “duatrokiti” lojën e të tijve dhe vlerësoi veçanërisht performancën e Eriksen, por pranoi se në momentin e golit të pësuar, skuadra u tregua e ngadaltë në marrjen e pozicioneve dhe nuk arriti të shmangë atë episod.
“Në nivelin e performancës, nuk kam çfarë t’u kërkoj më shumë djemve, pasi dominuan në të gjithë aspektet, por thjesht duhet të jemi pak të të këqij në rastet që krijojmë, pasi nuk kemi luksin të shpërdorojmë shumë. Eriksen bëri një ndeshje shumë të mirë, duke lëvizur shumë dhe marrë pjesë si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe sulmuese. Bëri 11 apo 12 kilometra dhe ishte gjithmonë prezent në fushë, ndërsa vetëm Ospina i mohoi dy herë mundësinë e dopietës. Gabuam në momentin e golit të pësuar, pasi nisëm të marrim pozicionet shumë ngadalë dhe për fat të keq në atë episod nuk patëm as fat, megjithatë është pjesë e rritjes dhe duhet të mësojmë nga ky rast”, tha trajneri i Interit.