75 Mall Live Search
12:10 / E Enjte, 27 Shkurt 2025 / L K

“Copëza Ditari”: Shfaqje teatrale që sjell në skenë kujtimet e një fëmije të mbijetuar nga lufta

“Copëza Ditari” është një shfaqje teatrale që përshkruan rrugëtimin emocional të një gruaje, e cila si fëmijë përjetoi tmerret e luftës dhe tani përballet me kujtimet e dhimbshme, duke kërkuar paqen e brendshme. E frymëzuar nga ditari personal i autores dhe regjisores Kreshnike Osmani, i shkruar gjatë vitit 1999, shfaqja sjell në skenë historinë e një vajze 9-vjeçare që kaloi tre muaj të mbushur me frikë, ndarje nga familja dhe shoqëria, si dhe humbje të kujtesës.

Këto përvoja e formësuan atë në një grua të fortë dhe dinjitoze, e cila tani guxon të ndajë traumat e saj të fëmijërisë. Në një deklaratë, Osmani thekson se ngjarjet e fundit në veriun e vendit kanë rikthyer kujtimet emocionale të përjetuara gjatë luftës për shumë njerëz në Kosovë. Ajo beson se “Copëza Ditari” do të krijojë një lidhje të fortë emocionale me publikun, pasi shumë do të gjejnë veten në këtë histori. Shfaqja, pati premierën më 17 shkurt 2025, në kuadër të aktiviteteve për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo interpretohet nga aktorja Jeta Musolli, ndërsa vetë Osmani shërben si narratore. Pjesë e ekipit janë edhe muzikantet Zanë Abazi (flautë) dhe Aurora Kabashi (violonçelo), kostumografi Zaki Osmani dhe ndriçuesi Skënder Latifi.