Coronavirus prek edhe F1, gara e Bahreinit do të zhvillohet pa praninë e tifozëve

Organizatorët e Grand Prix të Bahreinit kanë vendosur të mbyllin dyert për garën e Formula 1, e planifikuar për t’u zhvilluar më 22 mars.
Ky vendim i organizatorëve është marrë, për shkak të frikës së përhapjes së koronavirusit.
Disa ditë më parë organizatorët pezulluan shitjen e biletave, ndërsa këtë të dielë ata dhanë lajmin se të pranishëm në pistën e Bahreinit do të jenë vetëm pilotët dhe stafet përkatëse.
“Në konsultim me partnerët tanë ndërkombëtarë, Bahreini ka marrë vendimin që të mbajë Grand Prix e këtij viti vetëm me pjesmarrësit në garë.”
“Si një komb pritës i F1, shëndeti i tifozëve dhe garuesve është një përgjegjësi e jashtëzakonshme.”
“Duke pasur parasysh përhapjen e COVID-19, zhvillimi i një gare me dyer të hapura nuk do të ishte gjëja e duhur në këto momente,” njoftonin organizatorët.
Gara e parë e Formula Uno do të jetë në Australi javën e ardhshme. Ajo do të zhvillohet me praninë e publikut.