Covid 19, Britania e Madhe mbyll shkollat fillore në Londër

Britania e Madhe ka vendosur që të gjitha shkollat fillore në Londër do të qëndrojnë të mbyllura deri më 18 janar, për shkak të numrave shqetësues për përhapjen e Covid-19.
Por dispozita e Ministrit të Arsimit, Williamson, të cilën kritikët e shohin si një “kthesë të turpshme” nga vendimi fillestar për të mbajtur të mbyllura vetëm shkollat në zonat më të rrezikuara, nuk është e mjaftueshme. Sindikata e mësuesve bën thirrje për mbylljen e të gjitha shkollave në të gjithë vendin..
Mary Bousted, (Sekretare e Përgjithshme e Unionit Kombëtar të Arsimit), tha – e cituar nga mediat britanike, përfshirë “Guardian” – se qeveria duhet të mbyllë të gjitha shkollat në Angli, sipas modelit që është ndjekur edhe në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut, para se të përhapen vatra të mëdha infeksioni dhe të dalin “jashtë kontrollit”.
“Nëse kushtet lejohen të përkeqësohen, – tha Bousted, – në fund do të duhet të mbyllet më gjatë”. Miratimi për masën e qeverisë vjen nga kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, sipas të cilit qeveria “më në fund e ka kuptuar situatën” mbi vendimin e mëparshëm, duke zgjatur mbylljen në të gjithë kryeqytetin.