14:45 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / Blerim

Covidi-19 izolon sërish Çekinë

Qeveria e Republikës Çeke miratoi një sërë masash që e izolojnë vendin, i cili po përballet me shifra rekorde të rasteve me koronavirusin.

Kryeministri Andrej Babis tha në një konferencë shtypi, të mërkurën, se masat që do t’i mbyllin të gjitha dyqanet jo të domosdoshme dhe do ta kufizojnë lëvizjen e njerëzve vetëm për qëllime të domosdoshme, si puna, familja apo blerja e ushqimeve, do të zgjasin së paku deri më 3 nëntor.

“Para së gjithash, ne duhet t’i mbrojmë jetët e qytetarëve”, tha Babis, për të shtuar se masat do të hyjnë në fuqi nga data 22 tetor.

Vendimi vjen pasi Çekia njoftoi të mërkurën se në 24 orët e kaluara ka regjistruar 11,984 raste të reja me koronavirus – shifër kjo rekorde.

Ministri i Shëndetësisë, Roman Prymula, tha se parashikimet tregojnë se numri i rasteve të reja ka të ngjarë të arrijë kulmin nga 11 nëntori.

Të mërkurën, zëvendëskryeministri çek, Jan Hamacek, i cili është po ashtu ministër i Brendshëm dhe udhëheqës i shtabit të krizave, që koordinon përpjekjet logjistike për të luftuar pandeminë, njoftoi se ka dalë pozitiv në testin për koronavirusin.

Republika Çeke, vend me 10.7 milionë banorë, ka konfirmuar në total mbi 190.000 raste me koronavirusin, mbi 120.000 prej tyre vetëm gjatë tri javëve të para të tetorit.

Shifrat e Ministrisë së Shëndetësisë, të publikuara të mërkurën, tregojnë se numri i viktimave nga koronavirusi në Çeki është rritur për 106, përkatësisht në 1,619, në 24 orët e kaluara.