75 Mall Live Search
18:58 / E Enjte, 04 Mars 2021 / OSH

Covid19 në rritje, Krasniqi tregon se a ishin paralajmëruar partitë politike gjatë fushatës

Partitë politike në fillim të muajit që lamë pas kanë qenë duke prezantuar programet e tyre nëpër çdo fshat e qytet, nëpër salla të mbyllura e  ambiente të hapura.

Ndërsa pasojat e këtyre tubimeve tani kur vazhdojmë të ballafaqohemi me virusin korona, kanë filluar të ndihen ditëve të fundit me shtimin e rasteve të të infektuarve me Covid129.

Se a ka pasur paralajmërime dhe a u është transmetuar mjaftueshëm subjekteve politike rreziku i mbajtjes së këtyre tubimeve me qytetarë, drejtori i SHSKUK-së Valbon Krasniqi, ka thënë se po.

Ai në një intervistë në RTK ka treguar se ata si institucion por edhe si profesionistë shëndetësor në vazhdimësi ua kanë bërë të ditur situatën, meqë këto masa që janë ende valide kanë qenë edhe gjatë kohës së fushatës.

“Duhet ta kemi të qartë se masat kanë qenë gjatë gjithë kohës në fuqi, ajo çka kemi parë se askush nuk mund të abstenohet nga këto përgjegjësi, qoftë individuale si qytetarë, qoftë politike.

Ne si SHSKUK kemi qenë i zëshëm nëse merrni dhe i shikoni deklaratat tona kanë qenë gjithmonë për respektim të masave. E kemi kuptuar se do të jetë e vështirë të ruhet distanca gjatë këtyre ngjarjeve. Gjithmonë kemi thënë që  të paktën të dezinfektohen ato ambiente dhe duart e qytetarëve”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se qytetarët dhe cdo kush tjetër duhet të respektoj këto masa, sepse në të kundërtën vendi rrezikon të futet në mesin e vendeve që kanë numër të madh të të infektuarve me Covid19.