17:20 / E Mërkurë, 07 Dhjetor 2022 / AR

CR7 u fut në fushë afër përfundimit të ndeshjes; Georgina shprehet e pakënaqur

Mbrëmë u zhvillua ndeshja Portugali-Zvicër, e cila përfundoi me rezultatin e thellë 6-1 për ekipin portugez.

Por, edhe pse portugezët dhanë një performancë të jashtëzakonshme, sërish u ndje “mungesa” e Cristiano Ronaldo, i cili u bashkua me skuadrën në minutën e 74 të ndeshjes.

Për këtë, si Ronaldo, ashtu edhe partnerja e tij, Georgina Rodríguez, u shfaqën mjaft të irrituar nga vendimi i trajnerit Fernando Santos, i cili e mbajti lojtarin e famshëm në stol. Georgina postoi një album me foto nga stadiumi dhe shkroi: “Urime Portugali! Ndërsa 11 futbollistët këndonin himnin, të gjithë sytë ishin tek ti. Sa turp që nuk shijuan dot futbollistin më të mirë në botë për 90 minuta. Fansat nuk reshtën së thirruri dhe bërtituri emrin tënd”.

Mbrëmjen e djeshme, ekipi portugez luajti me guxim ndaj kundërshtarëve zviceranë, të cilët nuk mund ta ndalnin sulmin e tyre. Pa diskutim, ylli i mbrëmjes ishte Gonçalo Ramos, i cili zëvendësoi denjësisht legjendën Ronaldo.

Ky i fundit, nuk e fshehu pakënaqësinë ndërkohë që qëndronte në stol, pas vendimit të trajnerit Santos, i cili ishte mjaft i irrituar me sjelljen alla “unë jam më i miri” të Cristiano Ronaldo-s.

Ndaj, ai u detyrua të qëndrojë në stol dhe të hyjë në fushë në minutën e 74, kur rezultati ishte i pakthyeshëm (5-1 në atë moment). CR7 u fut në lojë pas kërkesave të shumta nga tifozët e më pas, u largua drejt dhomave të zhveshjes, duke mos iu bashkuar festës së ekipit.