14:35 / E Shtunë, 28 Janar 2023 / Gj. Sh

Cristiano Ronaldo është gati të dëshmojë para prokurorëve për hetimin financiar tek Juventus

Sipas La Gazzetta dello Sport, Cristiano Ronaldo është gati të dëshmojë dhe të flasë me prokurorët e Torinos në lidhje me hetimin financiar që përfshin pagat e Juventusit.

Ylli portugez ishte në mesin e lojtarëve të Juventusit që hoqën dorë nga paga e katër muajve në mars 2020. Megjithatë, hetuesit kanë gjetur marrëveshje private që duket se vërtetojnë se lojtarët kanë marrë ato paga, duke mos informuar FIGC.

Il Corriere della Sera publikoi dokumentin që i përkiste Cristiano Ronaldos më herët në janar, i cili megjithatë u nënshkrua vetëm nga ish-drejtori i Juventusit Fabio Paratici dhe jo nga CR7.

Sipas raporteve të shumta, Juventusi ende i ka borxh Ronaldos 19.5 milionë euro. Ronaldo më parë refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorëve të Torinos, por sipas Gazzetta-s, ai tani është gati të dëshmojë.

Mbetet për t’u parë se kur dhe ku do të zhvillohet takimi mes Ronaldos, avokatëve të tij në Itali Salvatore Pino e John Shehata dhe prokurorëve të Torinos Mario Bendoni dhe Ciro Santoriello, por Italia, Madridi dhe Lisbona duket se janë vendet më të mundshme ku Ronaldo do të dëshmojë.