17:35 / E Enjte, 23 Qershor 2022 / MSH

Çrregullimi i personalitetit narcisist

Shkruan: Kreshnik Avdiu, MSc. Psikolog klinik

Çrregullimi i personalitetit narcisist – një nga disa lloje të çrregullimeve të personalitetit – është një çrregullim ku njerëzit kanë një ndjenjë të fryrë të rëndësisë së tyre, një nevojë të thellë për vëmendje dhe admirim të tepruar. Narcisistët kanë marrëdhënie të trazuara dhe mungesë ndjeshmërie për të tjerët. Por pas kësaj maske të vetëbesimit ekstrem qëndron një vetëvlerësim i brishtë që është i prekshëm ndaj kritikës më të vogël.

Një çrregullim i tillë shkakton probleme në shumë fusha të jetës, të tilla si marrëdhëniet, puna, shkolla ose çështjet financiare. Njerëzit me çrregullim të personalitetit narcisist mund të jenë përgjithësisht të pakënaqur dhe të zhgënjyer kur nuk u jepen favoret ose admirimi i veçantë që ata besojnë se meritojnë. Të tillët mund t’i shohin marrëdhëniet e tyre të paplotësuara, dhe njerëzit e tjerë mund të mos kënaqen duke qenë pranë tyre.

TRAJTIMI:

Trajtimi më i njohur për çrregullimin e personalitetit narcisist njihet psikoterapia.

SIMPTOMATOLOGJIA E ÇRREGULLIMIT TË PERSONALITETIT NARCISIST:

Shenjat, simptomat e çrregullimit të personalitetit narcisist dhe ashpërsia e simptomave mund të jenë të ndryshme. Ato përfshijnë:

– Ndjenjë të ekzagjeruar të vetëvlerësimit

– Kërkesë për admirim të vazhdueshëm e të tepruar

– Presin të njihen si superiorë edhe pa ndonjë arritje që e garantojnë atë superioritet

– Ekzagjerojnë arritjet dhe talentet

– Janë të preokupuar me fantazitë për suksesin, fuqinë, shkëlqimin, bukurinë, etj.

– Besojnë se ata janë superiorë dhe mund të shoqërohen vetëm me njerëz po aq të veçantë

– Monopolizojnë bisedat dhe nënçmojnë ose shikojnë me përçmim njerëzit që i perceptojnë si inferiorë

– Presin favore të veçanta dhe pajtueshmëri të padiskutueshme me pritshmëritë e tyre

– Përfitojnë nga të tjerët për të marrë atë që duan

– Kanë një paaftësi ose mungesë vullneti për të njohur nevojat dhe ndjenjat e të tjerëve

– Janë ziliqarë për të tjerët dhe besojnë se të tjerët i kanë zili

– Sillen në mënyrë arrogante, bëhen mendjemëdhenj dhe mburravecë, duke synuar të impresionojnë të tjerët edhe me merita që nuk i posedojnë

– Këmbëngulin se e posdojnë më të mirën – për shembull, makinën, zyrën, lokalin, shtëpinë, etj.

– Tregojnë mosdurim ose zemërim kur nuk marrin trajtim të veçantë

– Kanë probleme ndërpersonale dhe lehtë ndjehen të shpërfillur

– Reagojnë me zemërim ose përbuzje dhe përpiqen të nënvlerësojnë personin tjetër në mënyrë që vetë të duken superiorë

– Kanë vështirësi në rregullimin e emocioneve dhe sjelljes

– E kanë shumë problem ballafaqimin me stresin dhe përshtatjen me ndryshimin

– Ndjehen të dëshpëruar sepse nuk e arrijnë përsosmërinë. Kanë ndjenja të fshehta të pasigurisë, turpit, cenueshmërisë dhe poshtërimit.

SHKAQET E ÇRREGULLIMIT TË PERSONALITETIT NARCISIST

Nuk dihet se çfarë e shkakton çrregullimin e personalitetit narcisist. Siç ngjanë me zhvillimin e personalitetit dhe me çrregullimet tjera mendore, gjithashtu edhe shkaku i çrregullimit të personalitetit narcisist ka të ngjarë të jetë kompleks. Çrregullimi i personalitetit narcisist mund të lidhet me këta faktorë:

Mjedisi – mospërputhja në marrëdhëniet prind-fëmijë, me adhurim të tepruar, ose me kritika të tepruara, që nuk janë përshtatur si duhet me përvojën e fëmijës.

Gjenetika ― karakteristika të trashëguara

Neurobiologjia – lidhja midis trurit,  sjelljes dhe të menduarit

KOMPLIKIMET:

Komplikimet e çrregullimit të personalitetit narcisist mund të përfshijnë:

– Vështirësi në marrëdhënie (lidhje dashurie apo marrëdhënie bashkëshortore)

– Probleme në punë apo shkollë

– Depresion dhe ankth

– Probleme me shëndetin fizik

– Keqpërdorim i drogës ose alkoolit

– Mendime ose sjellje vetëvrasëse

PREVENTIVA:

Ngaqë shkaku i çrregullimit të personalitetit narcisist është i panjohur, nuk ka asnjë mënyrë të njohur për ta parandaluar atë. Megjithatë, masat në vijim mund të ndihmojnë:

– Merrni trajtim sa më shpejt të jetë e mundur për problemet e shëndetit mendor që lidhen me fëmijërinë

– Merrni pjesë në terapi familjare për të mësuar mënyra të shëndetshme të komunikimit, ose për të përballuar konfliktet apo shqetësimet emocionale

– Merrni pjesë në klasat e prindërimit dhe nëse është e nevojshme kërkoni udhëzime nga terapistët ose punonjësit social