11:25 / E Premte, 23 Shkurt 2018

Curry 44 pikë në suksesin e Warriors, për Cleveland nuk mjafton LeBron

Rikthehet magjia e NBA pas shkëputjes disaditore për shkak të All Star Game.

Spikati spektakli i dhuruar në “Oracle Arena” nga Golden State Warriors dhe Los Angeles Clippers, sfidë të cilën vendasit e fituan 134 – 127 falë një Stephen Curry të jashtëzakonshëm, i cili realizoi plot 44 pikë për të tijtë, 10 asiste dhe 6 rikuperime. Mëse të mjaftueshme edhe paraqitjet e Kevin Durant dhe Klay Thompson, respektivisht me 24 dhe 19 pikë. Në radhët e kalifornianëve Tobias Harris shënoi 22 pikë, ndërsa Lou Williams shtoi 21 të tjera.

Nuk mjafton LeBron James për të shmangur humbjen 103 – 110 të Cleveland Cavaliers në shtëpi ndaj Washington Wizards, pas 5 fitoreve radhazi. 32 pikë, realizoi MVP i All Star Game, madje arriti kuotën e 11 mijë koshave në karrierë, iu afrua edhe “triple double”, pasi dha 8 aiste dhe kontrolloi 9 topa, por në fund festuan Wizards, falë 18 pikëve të Bradley Beal dhe 17 të Satoransky-it.

Rezultoi më e vështirë seç parashikohej përballja e Oklahoma City Thunder në parketin e Sacramento Kings. Edhe pse në periodën e parë Thunder krijuan një distancë sigurie prej 23 pikësh, vendasit u kthyen në lojë në periodën e dytë, ndërsa në fund të së tretës morën kryesimin. Gara në periodën e fundit u zhvillua pikë për pikë, por në momentin që do të binte sirena për mbylljen e ndeshjes, Russell Westbrook realizoi trepikëshin që i dha fitoren 107 – 110 Oklahomas. “Ylli” Thunder regjistroi “triple double” e 18-të sezonal, pasi shënoi 17 pikë, dha 11 asiste dhe rikuperoi 15 topa poshtë koshit.

Philadelphia 76ers fitoi me vetëm një pikë diferencë 116 – 115 ndaj Chicago Bulls, falë dy gjuajtjeve të sakta të lira të Ben Simmons katër sekonda para fundit, duke bërë të pavlefshme paraqitjen e Bobby Portis të Bullls që e mbylli takimin me 38 pikë.
Në takimet e tjera Charlotte Hornets fitoi 111 – 96 ndaj Brooklyn Nets, sfidë në të cilën Kemba Walker shënoi 31 pikë, ndërsa New York Niks iu imponua 113 – 120 Olrando Magic në transfertë.