Daçiq: 14 serbë votuan në zgjedhjet në veri, Asociacioni, kusht për zbatimin e marrëveshjes

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka folur për zgjedhjet e mbajtura më 23 prill në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ai ka thënë se pjesëmarrja në këtë proces zgjedhor të mbajtur sipas tij nga institucionet e Kosovës ka qenë shumë e vogël.
“14 persona me kombësi serbe kanë votuar në këto zgjedhje, nga 45 mijë. Është numër shumë i vogël dhe nuk dihet se sa është vlefshmëria kur pjesëmarrës kanë qenë një numër i vogël i popullatës”, është shprehur Daçiq.
“Dy përqind e shqiptarëve marrin vendim për fatin e 98 përqind të njerëzve. Shqiptarët pothuajse të gjithë kanë marrë pjesë në këtë proces”.
Daçiq ka thënë se Kosova është duke iu shmangur qëllimshëm marrëveshjeve të arritura dhe se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është kusht që Beogradi ta zbatojë pjesën e vet.
“Ky është kushti për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit”, është shprehur Daçiq,
“Asociacioni është obligim kombëtar i Prishtinës. Beogradi e ka mbështetur procesin e Brukselit”
Tutje në fjalën e tij, kryediplomati serb ka hapur temën e serbëve të zhvendosur ku ka shtuar se nga lufta janë mbi 200 mijë të tillë.