Daçiq: Nuk lejohen ndryshime mbi marrëveshjen e ASK-së, shqiptarët vuajnë nga amnezia
Përderisa sot ka startuar rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Ministri Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia nuk do të lejojë ndonjë ndryshim mbi marrëveshjen e krijimit të komunave me shumicë serbe.
Daçiq ka thënë se nuk pajtohen assesi me një gjë të tillë, transmeton Indeksonline.
“Ne nuk pajtohemi për diçka të tillë. Në qoftë se Bashkimi Evropian është dakord, edhe pse unë besoj se nuk do të jetë, atëherë i gjithë procesi i dialogut do të bjerë. Shqiptarët nga Kosova vuajnë nga amnezia”, ka shtuar Daçiq.
Ndryshe krijimi i komunave me shumicë serbe theksohet të jetë njëra ndër temat e diskutimit sot dhe nesër në Bruksel.
Temat të cilat pritet të diskutohen gjatë këtyre dy ditëve nga pala kosovare dhe ajo serbe janë: Zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe tabelat e regjistrimit të automjeteve, Drejtësia, muri tek pjesa e Urës së Ibrit në Mitrovicë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe Energjia.
Pala kosovare në këtë dialogu përbëhet nga Avni Arifi, Ardian Arifaj, Endrit Shala, Blerand Stavileci, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Alban Dërmaku, të cilët në Bruksel kanë arritur gjatë natës së kaluar.
Dialogu Kosovë-Serbi pritej të fillonte më 16 janar, gjë kjo e cila nuk u arrit pasi pala serbe vendosën të ktheheshin në Serbi pas lajmit për vrasjen e liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq./Indeksonline/