75 Mall Live Search
12:53 / E Hënë, 02 Mars 2020 / indeksADMonline

Daçiq paralajmëron një tjetër tërheqje të njohjes

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar një tjetër tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë [SPS], Ivica Daçiq, ka deklaruar së fundi që Serbia nuk guxon të heqë derë nga e drejta mbi Kosovën.

Ai së fundi shtoi se shteti serb nuk do të pranojë ultimatume e shantazhe.

Daçiqi e dha një deklaratë të tillë në një ceremoni në Kralevë, me rastin e 30-vjetorit të themelimit të partisë – e cila në të vërtetë nuk ishte themeluar nga e para por ishte transformuar nga partia komuniste, dhe kryetar e kishte pasur famëkeqin Sllobodan Millosheviqin.

“Ata po presin që ne të pushojmë së luftuari për Kosovën, që ta pranojmë si shtet të pavarur që i përket shqiptarëve. Ne njëmend jemi për dialog, jemi për kompromis, por duhet të themi në emër të SPS-it, të Serbisë unike, bashkë me (presidentin e Serbisë Aleksdandar) Vuçiqin, do të rezistojmë çfarëdo presioni. Ne me siguri nuk do të pranojmë ultimatume e shantazhe nga se ne nuk kemi atdhe tjetër as popull tjetër”, ka thënë Daçiqi.

Ai me këtë rast paralajmëroi se aktivitet i tij i ardhshëm në cilësinë e ministrit të Jashtëm të Serbisë do të jetë udhëtimi në Afrikë, ku me një shtet, të cilit nuk deshi t’ia përmend emrin, do të negociojë rreth tërheqjes së njohjes për pavarësi të Kosovës, e citojnë Daçiqin mediat serbe.

Kujtojmë që një gjë e tillë bie ndesh menjëherë me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti që Serbia të ndalte fushatën e çnjohjeve të Kosovës. Madje, Kurti kishte deklaruar se nuk do ta hiqte taksën më 1 prill nëse Serbia do të vazhdonte me fushatën e saj.