10:00 / E Premte, 02 Korrik 2021 / OSH

Daçiqi s’pendohet që ka qenë pjesë e partisë së Millosheviqit: Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq, ka folur në një intervistë për DW për zhvillimet e fundit, takimet për dialogun në Bruksel, njohjen e pavarësisë së Kosovës, krimet, përdhunimet dhe gjenocidin në Bosnje.

Daçiq: Nuk do të hiqja dorë nga asgjë. Pse të pendohem. E tilla ka qenë jeta. Ne kemi studiuar në kohën e shkatërrimit të sistemit njëpartiak dhe të shkatërrimit të Jugosllavisë.

Nuk pendoheni as për faktin që keni qenë edhe në partinë e Millosheviqit?

Daçiq: Dëgjoni, siç e dini, ajo ka qenë koha e shndërrimit të Lidhjes Komuniste në Parti Socialiste të Serbisë.

Mirë, do të thotë nuk pendoheni. Tani po bisedojmë në Berlin, ku këto ditë jeni takuar me kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble dhe disa deputetë. Si i vlerësoni raportet diplomatike dhe ekonomike Gjermani-Serbi?

Daçiq: Gjermania është bërë partneri i parë i Serbisë në tregtinë e jashtme dhe mund të them se perceptimi i Gjermanisë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe kanë ndryshuar shumë në dhjetë vitet e fundit. E ky është në radhë të parë rezultat i përmirësimit të marrëdhënieve midis njerëzve që drejtojnë këto dy vende, të cilët kanë krijuar komunikime mes tyre dhe kanë krijuar marrëdhënie personale, që sigurisht ka ndihmuar nxjerrjen në pah të disa temave pozitive, e  jo vetëm temave negative në marrëdhëniet tona. Kështu që sot mund të them me kënaqësi se Gjermania është numri një në ekonomi, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet. Ne kemi një shkëmbim prej 5,3 miliardë euro në tregtinë e jashtme vetëm gjatë vitit të kaluar. Po kështu, ata janë donatorë të mëdhenj dhe janë ndër investitorët më të mëdhenj. Janë rreth 400 ndërmarrje gjermane në Serbi, të cilat punësojnë më shumë se 70.000 njerëz, e qëllimi ynë është të arrijmë shifrën prej 100.000 punonjës. Dhe, që gjishashtu është mirë, shumica e këtyre kompanive shprehen pozitivisht për punën e tyre në Serbi. Kjo është shumë e mirë. Politikisht, mendoj se ne jemi të vetëdijshëm se Gjermania është vendi numër një në Evropë, pavarësisht faktit që serbët, për arsyet e tyre historike, mund të kenë më shumë simpati ndaj Francës. Por sigurisht që fuqia ekonomike dhe politike në këtë kohë është madje më shumë në Berlin sesa në Paris.

Ju jeni takuar në Berlin me kryetarin e Bundestagut Schäuble dhe me disa deputetë, e di që edhe presidenti Vuçiq ka kontatke të shpeshta me kancelaren Angela Merkel. Pra mund të thuhet se keni raporte të mira diplomatike dhe ekonomike. Por ka dhe një temë ku ju dalloni shumë – e kjo është çështja e Kosovës dhe njohja e Republikës së Kosovës. Ju nuk e njihni, ndërsa Gjermania jo vetëm që e njeh, por është një prej vendeve që me ngulm kërkojnë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Sa ju pengon ky fakt në raportet tuaja me Berlinin?

Daçiq: Ne sot (në takimin me Schäublen me 25 qershor në Berlin) nuk jemi marrë shumë me këtë çështje. Ne e dimë se ku janë dallimet mes nesh. Natyrisht që e dimë se si mendojnë ata, e dimë se cila është kërkesa e tyre për të shkuar përpara, e dimë se ata kërkojnë që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, politika jonë është shumë e qartë: ne duam zgjidhje politike, duam kompromis. Kërkesa për njohjen e pavarësisë nuk është kompromis, ajo është kërkesë e palës në Prishtinë. Por në këtë takim nuk e kemi prekur këtë temë. Ne kemi biseduar për raportet tona, për raportet bilaterale. Më kanë pyetur, për shembull, se çfarë mendoj për Maqedoninë e Veriut, për Shqipërinë, pse ato nuk e morën dritën jeshile për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Gjermania interesohet për të gjithë rajonin. Më duhet të them se ata kërkojnë që procesi i negociatave të përshpejtohet. Por kështu nuk mendojnë të gjithë. Schäuble më tha se ai personalisht ka biseduar madje para ca vitesh dhe ka kërkuar që Franca të pranojë që Ballkanit t’i jepet drita jeshile në procesin për anëtarësim, por Franca nuk është treguar shumë bashkëpunuese në këtë çështje.

Me këtë çështje ndoshta nuk jeni marrë shumë në këto takime, por çështja e të gjitha çështjeve është njohja e Kosovës, sepse ju e dini që edhe përshpejtimi i afrimit të Serbisë me BE, kushtëzohet me njohjen e Kosovës, respektivisht me normalizimin e raporteve me Kosovën. Ndërsa ju në Serbi tërë kohën po flisni për një kompromis. Çfarë do të thotë kompromis?

Daçiq: Shikoni, kompromis do të thotë diçka që është ne interesin e të dy palëve. A është i mundur ky kompromis nuk e di.

Nuk m’u përgjigjët çfarë është kompromisi? Çfarë nënkupton ai?

Daçiq: Po pse mendoni se Serbia duhet të propozojë ndonjë kompromis?

Po kush duhet ta propozojë? 

Daçiq: Ne kemi tani një situatë ku çështja akoma është  e hapur. Kjo do të thotë se çështja e statusit të Kosovës është e pazgjidhur, pavarësisht faktit që Kosova mendon se çështja është zgjidhur. Ajo nuk është zgjidhur derisa Kosova nuk pranohet në Kombet e Bashkuara. Nga ana tjetër situata në terren – ajo që amerikanët shpesh pëlqejnë ta thonë –  është e tillë që, pavarësisht nga fakti se 99 përqind e serbëve do të thoshin se Kosova është pjesë e Serbisë, Serbia nuk ka sovranitet të plotë në Prishtinë. Por as Prishtina nuk ka sovranitet të plotë në veri të Kosovës. Kjo është situata në terren. A mund të ndryshohet kjo situatë në terren përveç se me luftë? A mund të ndryshohet, për shembull, me kompromis? Kjo është e mundur. Më mirë me kompromis, sesa dikush të provojë të bëjë diçka tjetër.

Çfarë do të thotë kjo më saktësisht, çfarë është kompromisi?

Daçiq: Kompromis për mua është gjendja reale në terren.

A do të thotë kjo se ju angazhoheni për ndarjen e Kosovës apo për shkëmbimin e territoreve?

Daçiq: Po pse po më pyesni tani këtë, kur ju e dini se çfarë kam thënë edhe para më shumë se dhjetë vitesh…

Unë e di çfarë keni thënë, por edhe ju keni të drejtë të ndryshoni mendimin.

Daçiq: Pse ta ndryshoj? Nëse ju nuk e keni ndryshuar ju mendimin, nuk e kam ndryshuar as unë.

Unë jam gazetar dhe nuk e ndryshoj mendimin shpesh.

Daçiq: Mirë, mirë…

Pra, çfarë mendoni për ndarjen e Kosovës?

Daçiq: Po nuk mendoj asgjë, thjesht dua të them se të gjitha duhet të jenë pjesë e marrëveshjes. Tani kemi një situatë, që kur flitet për Kosovën mendohet vetëm në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por nuk duhet të jetë kështu. A ka dikush që propozon ndonjë zgjidhje që do të përfaqësonte një kompromis të interesave si serbe ashtu edhe shqiptare. Tani për tani, askush nuk dëshiron të merret me këtë, askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi. E kjo ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve. E di sepse edhe vet kam marrë pjesë në dialog, kur ishte në vitin 2012 dhe 2013…