75 Mall Live Search
16:43 / E Mërkurë, 04 Tetor 2023 / Gj. Sh

Daja: Dinamo emër i madh, por Ballkani do të respektojë veten në fushë

Ballkani do të presë në “Fadil Vokrri” një emër të njohur të futbollit ballkanik dhe jo vetëm, kroatët e Dinamos së Zagrebit, në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Conference League, e cila do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 2, të enjten në orën 18:45.

Trajneri i kampionëve të Kosovës, Ilir Daja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi kundërshtarin, megjithatë theksoi se ekipi nga Theranda do të respektojë mbi të gjitha veten kur të zbresë në fushë.

Sa e vështirë do të jetë përballja ndaj Dinamos së Zagrebit?
Për ecurinë e Dinamos dhe nivelin që ka, nuk duhet folur shumë, pasi është një klub me eksperiencë të jashtëzakonshme dhe është përfaqësuesja më e mirë e kampionatit të Kroacisë, një vend që ka qenë edhe nënkampion bote. E kemi ndjekur ecurinë e tyre, pasi kemi pasur më shumë kohë dhe mund t’u them se janë favoritët kryesorë, bashkë me Viktoria Plzen, për të kaluar grupin, por duke pasur edhe suportin e tifozëve tanë, besoj që nuk do të kemi nevojë për motivim dhe do të menaxhojmë emocionet, për të bërë një ndeshje të mirë. Jemi përgatitur mirë dhe shpresojmë që nesër të bëjmë diçka të bukur.

Si është gjendja e skuadrës në prag të kësaj sfide?
Kemi një lojtar që është në dyshim dhe do ta ndajmë mendjen në seancën e sotme. Bëhet fjalë për një lojtar të rëndësishëm, që shpresojmë ta kemi nesër, por edhe dje kemi punuar pa e llogaritur në formacion. Mendoj që e kemi gjendjen e mirë si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik, pasi kemi ritëm shumë të mirë në kampionat, me 6 fitore dhe një barazim. Kemi bërë shumë mirë në kampionat dhe shpresojmë që atë ritëm ta tregojmë edhe ndaj Dinamos.

Ju gëzon mungesa e sulmuesit Petkovic te Dinamo e Zagrebit?
Edhe në një ekip si Dinamo e Zagrebit ka një farë hierarkie sa i përket cilësisë së futbollistëve, por me gjendjen që ata kanë, nuk ndikohen shumë nga mungesat. Ata kanë kontigjent që mund ta përballojnë shumë mirë mungesën e një, dy apo më shumë lojtarëve, pasi kanë shumë cilësi edhe në stol.

Sa ndikon eksperienca më e madhe në këto nivele?
Luajmë për herë të dytë në grupet e Conference League dhe në aspektin e eksperiencës jemi shumë më mirë. Megjithatë na janë larguar shumë lojtarë cilësorë në një afat shumë të afërt, pasi nuk kemi më Rrahmanin e Korenicën që janë larguar dhe Emërllahun të dëmtuar. Kanë qenë liderë të skuadrës, ndaj është e vështirë t’i zëvendësosh. Kemi eksperiencë më shumë krahasuar me një vit më parë, por lojtarët që kanë ardhur, duan kohën e vet që të zëvendësojnë këto pika të forta që kemi pasur në ekip.

A është Dinamo e Zagrebit kundërshtari më i fortë me të cilin jeni përballur?
Besoj që është nga kundërshtarët më të vështirë që kemi pasur. Unë jam përballur me ata edhe kur isha te Skënderbeu dhe mund të them se hyn në tre kundërshtarët më të vështirë me të cilët kemi luajtur.