18:38 / E Shtunë, 03 Mars 2018 / indeksADMonline

Daja: Në rastin e Jashanicës gabuan mjekët

Skënderbeu i fushës bind dhe di të ringrihet edhe në momentet më të vështira, por ai jashtë fushe shqetëson jo pak. Ilir Dajës në konferencën për shtyp para sfidës me Laçin i duhet të flasë më tepër për çështjen e fundit në skuadrën korçare, rezultimin pozitiv të Bajram Jashanicës në testet e antidopingut.

Trajneri është i qartë, ndërsa ndan Skënderbeun e fushës nga ai jashtë saj, e madje pa doreza, trajneri drejton gishtin e akuzës drejt stafit mjekësor, duke theksuar se bëhet fjalë për një rast të izoluar.

“Lajmi i fundit që ka ardhur, nuk ka të bëjë me Skënderbeun, pavarësisht se Jashanica është pjesë e skuadrës. Është një problem i stafit mjekësor, që nuk ka administruar mirë situatën. Në 14 ndeshjet që kemi bërë në rrugëtimin e Europa Leagues, janë testuar të gjithë futbollistët e Skënderbeut. Në çdo ndeshje testohen 2 futbollistë për çdo skuadër dhe në 14 ndeshje, janë testuar plot 28 lojtarë tanët dhe ai i Jashanicës është rast i izoluar. UEFA nuk ka gjë me Skënderbeun dhe e ka të përcaktuar qartë se çfarë mund të përdoret në raste emergjence. Jashanica, por edhe çdo lojtar i Skënderbeut, nëse bën gabimin e madhe dhe përdor substanca të ndaluara, unë i pari do të kërkoj përjashtimin e tij. Por rasti i Jashanicës është ndryshe, pasi nuk ka gabuar lojtari, por vetë stafi mjekësor, që ka përdorur ultra-kortenin për të luftuar alergjinë, por kjo substancë është e ndaluar nga UEFA. Pra, kemi të bëjmë me një rast të izoluar, pasi doping i vetëm i Skënderbeut është stërvitja që bëjnë këta çuna, dhe organizimi mjaft i mirë i klubit”, u shpreh Ilir Daja.

Për t’iu kthyer Skënderbeut të fushës, trajneri që i ka të gjithë gati, respekton maksimalisht Laçin në kërkim të fitores së radhës.14 pikët e diferencës nuk ndryshojnë asgjë për sa i përket filozofisë së Dajës, nuk ka rotacion për rotacion, në fushë gjithmonë ata që meritojnë më shumë.

“Kemi një ndeshje të vështirë nesër, pasi kundërshtari ka një pozicion të mirë në tabelën e klasifikimit dhe vjen pas një fitoreje në fushën e vet. Edhe ata kanë një objektiv për të qenë sa më lart dhe të marrin pjesë në kupat e Europës. Ndeshja do të jetë e vështirë për vetë faktin që edhe neve nuk na kërkohet ta fitojmë me patjetër ndeshjen, pasi kemi një diferencë që na jep qetësi psikologjike”, tha trajneri i Skënderbeut.