75 Mall Live Search
22:48 / E Hënë, 13 Maj 2024 / FR

Dajaku: Propozimi i FSHF-së është shumë korrekt, Europiani U-21 mes Shqipërisë dhe Serbisë është i pranueshëm

Ish-futbollisti Taulant Dajaku komentoi nga emisioni “Elitë Show” në “SuperSport” kandidimin e Shqipërisë së bashku me Serbinë për organizmin e Europianit U-21 në 2027-ën.

Ai deklaroi se e sheh si diçka shumë normale faktin që të bëhet ky organizim mes dy vendeve, ndërsa theksoi se Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është shumë korrekt me këtë propozim, pasi sipas tij në këtë rast flitet për sport dhe jo për politikë.

“Situata si këto na nxjerrin në një përfundim që kemi shumë punë për të bërë, për t’i trajtuar gjërat në mënyrën e duhur. Media do duhej të tregonte të vërtetë, por kur merret me reklamimin e disa personave kjo nuk ndodh. Ne e kemi paguar në lëkurën tonë me atë që kemi kaluar. Nëse e shohim në mënyrë të përgjithshme, në pozicionin e tanishëm të shqiptarëve si komb kemi më shumë përgjegjësi në këtë Ballkanin problematik dhe e vërteta është se tashmë shqiptarët janë triumfator në të gjitha aspektet dhe pozicioni që kemi na bën të kemi një lloj pakti me Europën se do jetë stabiliazatore e Ballkanit. Ndoshta edhe ne kemi përgjegjësinë tonë për të treguar saktë se çfarë do të thotë kandidimi për finalet e U-21 për 2027-ën. Nëse gjykojmë nga aspekti politik është shumë e papranueshme edhe një ofertë që mund të ketë ardhur nga Serbia dhe të pranohet nga Shqipëria. Mirëpo ideja është që drejtuesit e federatave nuk merrem me pjesën politike, por sportive të vendeve tona. Për mua do të ishte e justifikueshme, nëse Kosova do të kishte mundësinë që të organizonte diçka të tillë me Shqipërinë, por fakti është që Kosova nuk i ka kushtet. Madje duhet të shtoj që është shumë gabim nga ana e federatës së Kosovës që ende nuk ka asnjë reagim për këtë çështje, pasi nuk ka asgjë jo normale në këtë çështje. Duhet të themi dhe një detaj tjetër që Presidenti Duka nuk është vetëm kreu i Federatës së Shqipërisë, por ka dhe një pozitë tjetër në UEFA dhe është shumë korrekt në rolin që luan, pasi Shqipëria tashmë pozicionohet shumë e fortë në arenën e futbollit”-deklaroi Dajaku.