Daka: Do të kisha shumë dëshirë që në Kosovë, të paktën një herë të kemi zgjedhje të rregullta

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, thotë se dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, por ajo nuk beson se ka arsye për rinumërim total të votave.
Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në KQZ, Ibrahim Selmanaj, në mbledhjen e së mërkurës të këtij institucioni që është përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, kërkoi rinumërim të plotë të votave për të kthyer “kredibilitetin në procesin zgjedhor”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Daka thotë se duhet pritur rezultatin e hetimeve të prokurorisë, por ajo është e bindur se manipulimi nuk ka karakter të përgjithshëm.
Daka ka deklaruar se është i dhimbshëm fakti që në Kosovë po organizohen shpesh zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Është rutinë e dhimbshme dhe e lodhshme njëkohësisht. KQZ-ja, praktikisht, nuk po arrin as të analizojë procesin e kaluar dhe t’i marrë mësimet nga proceset e kaluara dhe ashtu në nguti, me afate të përshpejtuara dhe duke anashkaluar të gjitha, futet në një proces të ri, duke mos arritur që t’i riparojë të gjitha ato vërejtje. Do të kisha shumë dëshirë që në Kosovë, të paktën një herë të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare, pasi këto zgjedhje janë shumë më të vështira, pasi nga to edhe rrjedhin institucionet e nivelit qendror, praktikisht pushteti. Dhe tërë kohën jemi nën presion medial, politik, publik dhe presion brendapërbrenda KQZ-së”, thotë Daka.