13:32 / E Martë, 19 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Daka: Subjektet politike më shumë u besojnë muskujve

Ligji për barazi gjinore, nuk ka gjetur zbatimin e duhur në Kosovë dhe se burrat vazhdojnë të përbëjnë përqindjen më të madhe të punësuarve, në pozita të nivelit të lartë drejtues, në institucionet e vendit.

Kështu u tha në konferencën “Përmirësimi i Llogaridhënies Institucionale për Zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore në Vendimmarrje”, organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, e që si qëllim ka promovimin e iniciativës për arritjen e balancës gjinore, në pozita vendimmarrëse në institucionet publike përmes përmirësimit të llogaridhënies institucionale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se legjislacioni i avancuar në mbrojtjen e barazisë ligjore në njërën anë dhe praktika në anën tjetër, paraqesin realitete të ndryshme në Kosovë.

Ndërsa ftoi të gjitha institucionet, e qytetarët që të ndihmojnë së Kosova të ndërtohet si shtet, ku barazia gjinore është vlerë e pacenueshme dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

“Legjislacioni i avancuar në mbrojtjen e barazisë gjinore në njërën anë dhe praktika në anën tjetër, akoma paraqesin realitete të ndryshme në Kosovë. Megjithatë për tu arritur mbrojtje efektive të drejtave njerëzore të grave, kërkohet zbatimi i duhur i ligjit për barazi gjinore dhe legjislacionit në fuqi. Si dhe zbatimi i marrëveshjeve dhe instrumente ndërkombëtare. Është obligim i të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, të bëjnë zbatimin e Ligjit për barazi gjinore dhe në pajtim me standardet dhe praktikat e aplikueshme ndërkombëtare duhet të sigurojmë barazi gjinore, si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrjen e femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike sociale kulturore dhe në të gjitha fushat tjera të jetës shoqërore. Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe në institucione tjera publike, arrihet kur të sigurohet përfaqësim minimal 50 për qind për secilën gjini, përfshirë dhe organet e tyre drejtuese dhe vendim marrëse. Ky 50 për qindësh është obligim i përcaktuar me ligjin për barazi gjinore ”, tha Thaçi.

Ndërsa Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se në praktikë nuk ka pasur ndonjë lëvizje domethënëse për barazinë gjinore dhe se ligji nuk ka gjetur zbatim adekuat.

 

“Ligji është miratuar nga 2015-ta dhe ka filluar zbatimi i tij, mirëpo në praktikë kemi mundur të shohim ndonjë lëvizje domethënëse në zbatim të kësaj kuote për institucionet publike por edhe për institucionet private. Cilat janë mundësitë para nesh? Njëra prej shkoqitjeve kryesore tonat ka qenë pikërisht kjo çështje, ligji nuk ka gjetur zbatim adekuat dhe ekziston detyrim për të gjitha institucionet publike për ta zbatuar këtë normë”, tha Jashari.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, e cila foli për aspektin ligjor dhe kujdesin për barazinë gjinore, po ashtu edhe për pjesëmarrjen e femrave në zgjedhje tha se subjektet politike, më shumë u besojnë meshkujve se sa femrave.

 

“Fatkeqësisht subjektet politike, megjithatë tek trupat menaxhuese më shumë u besojnë meshkujve sesa femrave. Pra i besojnë më shumë muskujve, sesa gjinisë më të së bukur. Kjo tregon dhe me vet faktin se në vet KQZ, vetëm unë jam femër dhe unë nuk vij nga subjektet politike, por nga gjyqësori dhe nuk emërohem nga subjektet, por nga presidenti i shtetit. Ndërkaq të gjithë anëtarët tjerë janë ata të cilët emërohen dhe nominohen nga subjektet politike. Pra subjektet politike nuk u besojnë femrave në ato pozita ku më tepër iu besojnë muskujve”, tha ajo.

Ndërkaq drejtoresha Ekzekutive e Institutit për Studime të Avancuara GAP, Nora Latifi-Jashari, pohoi se grave nuk u jepet hapësirë në vendimmarrje. Ndërsa tha se kuotat janë të domosdoshme në shoqëritë që diskriminojnë gratë.

 

“Edhe pse ligji për barazi gjinore, kërkon punësim të barabartë në sektorin publik, gratë llogaritet se përbëjnë vetëm 30 për qind të punësuarve në këtë sektor. Në ndërmarrjet publike, gratë përbëjnë vetëm 12 për qind. Ndërsa në shërbimin civil dhe arsim, gratë përbëjnë rreth 44 për qind. Por në Kosovë gratë jo vetëm se janë më pak të punësuara se sa burrat, ato janë dhe më pak të përfaqësuara në pozita të larta vendimmarrëse. Rreth 94.6 për qind të pozitave të nivelit të lartë drejtues në Qeverinë e Kosovës, në Kuvend dhe Presidencë, udhëhiqen nga burrat. Këto nuk janë poste politike, por i takojnë shërbimit civil”, tha ajo.