75 Mall Live Search
21:53 / E Enjte, 31 Korrik 2025 / Burim

Dalin dokumentet që kompania e përjashtuar nga tenderi në Komunën e Shtimes ka poseduar licencë, për ‘mungesën’ e të cilës u përjashtua nga tenderi

Siç është raportuar më herët, Komuna e Shtimes, përmes zyrtarëve të saj të prokurimit, e ka përjashtuar kompaninë KosovaMed Healthcare SHPK nga procesi i tenderimit, duke pretenduar se kompania nuk ka pasur licencën e duhur për ofrimin e shërbimeve të kërkuara.

Sipas vendimit të komunës, kompania nuk kishte licencën për: “Ofrimin e shërbimeve të përkujdesjes së drejtëpërdrejtë sociale në shtëpi dhe asistencë materiale për persona që nuk mund të kujdesen për veten, për të moshuarit dhe për persona me aftësi të kufizuara.”

Megjithatë, dokumentet zyrtare të siguruara nga hulumtimi ynë tregojnë të kundërtën. Sipas Vendimit të lëshuar nga Departamenti për Çështje Sociale dhe Familjare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Kompania KosovaMed Healthcare SHPK është e licencuar saktësisht për të njëjtat shërbime që përmenden më sipër. Teksti i licencës është si më poshtë: “Ofrimin e shërbimeve të përkujdesjes së drejtëpërdrejtë sociale në shtëpi dhe asistencë materiale për persona që nuk mund të kujdesen për veten, të moshuar dhe me aftësi të kufizuara.”

Ky fakt rrëzon pretendimin e Komunës së Shtimes dhe nënkupton se përjashtimi është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me dokumentacionin ekzistues zyrtar.

Për më tepër, burimet të Veriu.info konfirmojnë se Komuna nuk ka kërkuar fare sqarim nga Departamenti për Çështje Sociale dhe Familjare, ashtu siç kërkohet në raste të tilla të pasigurisë mbi interpretimin e një licence. Në vend që të kërkojë konfirmim mbi vlefshmërinë e licencës, Komuna ka zgjedhur të bëjë pyetje të tjera anësore, ndërkohë që ky fakt thelbësor është injoruar qëllimisht.

Veprimi i autoriteteve komunale lë të kuptohet për favorizim të qëllimshëm të OJQ-së Caritas Kosova, pavarësisht që kishte ofertë më të lartë sesa kompania private. Kjo ngre dyshime të forta për mungesë transparence, konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në një proces që duhet të ishte i bazuar vetëm në kriteret ligjore dhe ekonomike.

Ky rast paraqet një tjetër alarm për mënyrën se si po menaxhohen fondet publike dhe proceset e tenderimit në institucionet komunale në Kosovë. Në një kohë kur transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë parime udhëheqëse të administratës publike, raste të tilla si ky në Komunën e Shtimes cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe kërkojnë urgjentisht hetim të pavarur nga autoritetet përkatëse.

Shini më poshtë fotografitë e arsyetimit për përjashtim të Kompanisë nga tenderi dhe Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku vërehet qartë që Kompania posedon licensën, për mungesën e të cilës u përjashtua nga tenderi./Veriu.info

Licenca dhe Vendimi i ministrisë për licencim të KosovaMed: