12:26 / E Enjte, 26 Maj 2022 / AR

Dalin në shesh detaje shokuese në gjyqin Depp-Heard

Një ish-punonjës i TMZ – tabloid online – dëshmoi në gjyqin Johnny Depp dhe Amber Heard. Morgan Tremaine u thirr si dëshmitar nga ekipi i Johnny Depp, pavarësisht se kompania mëmë e TMZ, EHM Productions, u përpoq të ndalonte që kjo të ndodhte.

Morgan ka punuar si menaxher i ngjarjeve në terren dhe ishte në krye të rreth 20 paparacëve në Los Angeles. Kur u pyet se kush jepte zakonisht informacione për TMZ, ai shpjegoi: “Shpesh ishin publicistë, menaxherë, agjentë apo njerëz të famshëm të listës B…dhe avokatë, patjetër.”

Ai dëshmoi se ishte udhëzuar të dërgonte fotografë në një gjykatë në Los Angeles më 27 maj 2016 – ditën kur Heard kërkoi një urdhër ndalimi të përkohshëm për Depp. Ai tha se TMZ nuk do t’ia kishte dhënë atë detyrë pa verifikuar besueshmërinë e burimit që dërgoi informacionin se Heard do të kërkonte një urdhër ndalimi për Johnny Depp.

Të tjera detaje shokuese në gjyqin Depp-Heard: Flet ish-punonjësi

“Ne po përpiqeshim të fotografonim Amber duke dalë nga gjykata dhe mavijosjen e supozuar në anën e djathtë të fytyrës së saj,” i tha ai gjykatës. “Ajo do të ndalonte dhe do të kthehej drejt kamerës për të shfaqur mavijosjen në anën e djathtë të fytyrës, mavijosjen e supozuar.” Kur u pyet nëse TMZ arriti ta fotografonte, Morgan u përgjigj: “Po”. (Amber Heard ka mohuar më parë që të ketë bashkëpunuar me TMZ.)

Ai shtoi se i kishin caktuar të fotografonte Heard në mes të divorcit të diskutueshëm në tre raste të tjera. Më 6 gusht 2016, ai u udhëzua të dërgonte paparacët në një parking ngjitur me zyrën e avokatisë ku Heard do të paraqitej për një dëshmi. “A i dërgoni zakonisht paparacët në parkinget e zyrave të avokatisë?” e pyeti avokatja e Depp, Camille Vasquez. “Jo, aspak,” u përgjigj ai. “A e fotografuat zonjën Heard?” pyeti Vasquez. “Po,” tha ai.

Më 12 gusht të vitit 2016, Morgan Tremaine dëshmoi se TMZ mori një “video ku dukej Johnny Depp duke përplasur disa kanata” në kuzhinë dhe konfirmoi se TMZ zotëron të drejtat e autorit për videon. “Si e siguron TMZ të drejtën e autorit mbi fotot dhe videot?” pyeti Vasquez.

Të tjera detaje shokuese në gjyqin Depp-Heard: Flet ish-punonjësi

“Mënyra e vetme për të marrë të drejtën e autorit do të ishte nëse e xhironim vetë. [Opsioni i dytë është] nëse dërgohej në linjën e informacionit dhe burimi verifikonte se ishte nga pronari origjinal i së drejtës së autorit, më pas ose blihej nga ai person ose na jepej. Opsioni i tretë, do të ishte nëse do të na jepej drejtpërdrejt nga zotëruesi i të drejtës së autorit si një burim i drejtpërdrejtë,” u përgjigj Tremaine.

Morgan tha se TMZ ishte në gjendje të verifikonte burimin shumë shpejt, saqë e publikuan videon në 15 minuta. Ai gjithashtu i tha gjykatës se videoja që ata postuan ishte edituar.

“Ishte shumë më e shkurtër se videoja që është vendosur në këtë gjyq. Kishte një pjesë në fillim që u pa këtu në të cilën zonja Heard me sa duket po e vendos kamerën dhe po futet në pozicion. Dhe më pas, ka pak në fund ku ajo në dukje po nënqesh dhe shikon kamerën. Këto pjesë nuk ishin në videon që morëm.” Kur u pyet nëse TMZ e ka edituar videon, ai u përgjigj: “Jo. Aspak”.

Gjatë marrjes në pyetje, avokatja e Heard akuzoi Tremaine se po kërkonte “15 minutat e tij të famës”.

“Unë nuk do të përfitoj asgjë nga kjo. Në fakt po e vendos veten në shënjestër të TMZ, një organizatë shumë kontestuese. Dhe nuk po kërkoj asnjë 15-minutësh këtu,” u përgjigj Tremaine. “Unë mund të them të njëjtën gjë për ju që keni marrë Amber Heard si kliente.”

Kur Amber Heard u mor në pyetje në fillim të këtij muaji, avokatja e Depp e akuzoi aktoren se kishte organizuar “një set fotografik” në gjykatë kur paraqiti urdhrin e ndalimit.