16:03 / E Premte, 01 Mars 2024 / MSH

Dalin në shitje biletat e para për Sunny Hill Festival

Edicioni më i madh i Sunny Hill Festival këtë verë vjen në Prishtinë, dhe mbahet prej 25 deri më 28 korrik 2024. 

Prej sot janë në shitje grupi i parë i biletave Believers me çmimin më të mirë, ndërsa ky do të jetë edicioni më i jashtëzakonshëm dhe spektakular i Sunny Hill Festival që është mbajtur ndonjëherë.  

Biletat shiten në faqen zyrtare të Sunny Hill Festival.

“Prishtina do të jetë kryeqyteti dhe destinacioni më interesant i rajonit këtë verë, për shkak të festivalit Sunny Hill i cili vjen me një edicion të mahnitshëm. Ne jemi tej mase të lumtur për atë çfarë po vjen këtë vit”. 

Sunny Hill Festival tani po rikthehet në lokacionin e vet të përhershëm – parkun e festivalit në Bërnicë të Poshtme, ndërsa hapësira e re do të mundësojë masovizimin e festivalit, rritjen e numrit të pjesëmarrësve nga brenda dhe jashtë vendit, si dhe rritjen e mëtejshme të ndikimit ekonomik e promovimin e turizmit kulturor në Kosovë. 

“Këtë vit, ne jemi gati për të mirëpritur gjithë energjinë dhe emocionet e jashtëzakonshme që kanë munguar vitin e kaluar, për shkak të punimeve dhe përgatitjeve të nevojshme për festivalin. Hapësira e re tani mund të akomodojë shumëfish më shumë njerëz, të cilët presim që të vijnë nga vende të ndryshme të botës”, thuhet në njoftimin e festivalit.  

Numri i biletave të kategorisë Believers do të jetë i kufizuar dhe pritet të jetë SOLD OUT shumë shpejt.