Dalin pamjet, UEFA nis hetimet ndaj Ramos
UEFA duket se do të merret posaçërisht me rastin e kapitenit të Real Madridit, Sergio Ramosit.
Ky i fundit ka pranuar publikisht se në ndeshjen kundër Ajaxit qëllimisht ka ndërhyrë në mënyrë të palejuar që të ndëshkohet me karton të verdhë.

Unë do të gënjeja nëse them se nuk e kam bërë me qëllim. Unë nuk do ta nënvlerësoja Ajaxin, por është fakt që kam nevojë për një pushim. Unë do ta shikojë duelin në shkallët e stadiumit”, ka thënë spanjolli.
Nëse Ramos ishte i vetëdijshëm se kjo deklaratë mund t’i kushtojë atij apo jo, ne nuk e dimë, por UEFA është në lëvizje.
Përpos fotove që dëshmonin aktin e Ramosit “Golazo de Gol” tani ka publikuar videon, ku shihet kapiteni i skuadrës i cili kthehet nga stoli i klubit dhe thotë: “Kartonin, a ta kërkoj?” – menjëherë pas golit të Marco Asensios për 2-1.
Raportohet se UEFA tashmë ka nisur hetimet për veprimin e Ramosit dhe nëse zbulojnë diçka të parregullt në atë që bëri 32-vjeçari në “Johan Cruyff Arena”, do ta suspendojnë me të paktën dy ndeshje. /IndeksOnline/
