Dalin para gjykatës Kostiq e Milloviq të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar seanca gjyqësore ndaj Zoran Kostiqit dhe Dragan Milloviqit, te akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, raporton Ekonomia Online.
Sot do të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit Naim Haliti.
Në seancën paraprake janë dëgjuar dy dëshmitarët të prokurorisë, Habib Mustafa dhe Rrahim Tahiri. Të dy dëshmitarët kanë deklaruar se të akuzuarin Kostiq e kanë njohur nga periudha e paraluftës dhe se gjatë luftës ai kishte qenë i uniformuar.
Dëshmitari Rrahim Tahiri, duke përmendur krimet e kryera në disa fshatra të Komunës së Vushtrrisë, ka deklaruar se i akuzuari Kostiq “nuk ka vend që s’ka marrë pjesë”.
Zoran Kostiq dhe Dragan Milloviq akuzohen se, në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare serbe, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë konfliktit në Kosovë.

