75 Mall Live Search
15:51 / E Premte, 24 Janar 2025 / S Z

Dalja e SHBA nga OBSH: A mundet BE-ja të mbushë boshllëkun në udhëheqjen globale të shëndetit?

Me planet e Donald Trump për të ndërprerë lidhjet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), agjencia ndërkombëtare do të humbasë jo vetëm 1 miliard dollarë, por një nga vendet më me ndikim në shëndetin global.

OBSH mund të përshtatet me humbjen e mbështetjes së qeverisë amerikane, tha Drejtori i Përgjithshëm Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë shtypi në muajin dhjetor, por paralajmëroi se ndikimi do të ishte i rëndësishëm, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.

Meqenëse shumica e kontributeve janë të lidhura me iniciativa specifike, duke përfshirë parandalimin e sëmundjeve, trajnimin e fuqisë punëtore dhe fushatat e shëndetit publik, tërheqja e SHBA-së do të sillte një goditje thelbësore për projektet e ardhshme të organizatës.

“Ky vendim i dërgon një sinjal të qartë komunitetit ndërkombëtar se shëndeti global nuk është më një prioritet për Shtetet e Bashkuara”, tha Anniek de Ruijter, profesoreshë e ligjit dhe politikës shëndetësore në Universitetin e Amsterdamit.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh një gur themeli i mbështetjes së organizatës, duke ofruar 1.284 miliardë dollarë financim midis 2022 dhe 2023.

Kjo dalje do të kërkojë fuqi të tjera për të mbushur boshllëkun e lënë nga qeveria amerikane.

BE-ja ose Kina – aktualisht kryesuese e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë – ka të ngjarë të jenë në garë.

Kur administrata e mëparshme Trump shkurtoi fondet dhe filloi të tërhiqej nga OBSH, Gjermania ndërhyri dhe rriti ndjeshëm kontributin e saj për të mbushur boshllëkun e madh të financimit të lënë nga SHBA.

“Megjithatë, në klimën aktuale politike dhe ekonomike, është më pak e qartë nëse Shtetet Anëtare të BE-së do të jenë në gjendje të mbushin boshllëkun këtë herë,” tha për Euronews Elizabeth Kuiper, drejtoreshë e asociuar në Qendrën e Politikave Evropiane.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach shkroi në X se tërheqja e SHBA-së nënkupton humbjen e 20% të fondeve, por edhe specialistë shumë të kualifikuar nga Amerika.

Sidomos fëmijët në nevojë, për shembull në Gaza, janë sërish viktimat e para”, ka shkruar ai.

Vetëm Qendra Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), aktualisht ka më shumë se 1700 ekspertë të shëndetit publik në mbi 60 vende. /