18:34 / E Hënë, 28 Nëntor 2022 / LB

Dalja publike e UÇK-së, Xhevahir Geci: S’kemi dashur ta shfaqim Adem Jasharin

Sot më 28 Nëntor të vitit 2022, bëhen 25 vjet që nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ishin Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, ata të cilët më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Gjenerali i dalë në pension, Xhevahir Geci, në një intervistë në emisionin Info Magazine ka dhënë detaje rreth asaj se si UÇK-ja vendosi të dalë publikisht.

“Kjo si rezultat i aksioneve të mëhershme të UÇK-së edhe para 27 Nëntorit që kanë qenë aksione të UÇK-së, por edhe luftës frontale që u bë më 27 nëntor të vitit 1997 në Rezallë të Re. Aty janë ballafaquar për herë të parë forcat e UÇK-së me ato serbe ku ka pasur luftime frontale mes dy forcave dhe ka qenë një fitore shumë e suksesshme e organizuar prej akterëve kryesorë të UÇK-së në krye me Adem Jasharin”.

Ai ka treguar se edhe vrasja e mësuesit Halit Geci ka qenë një shtytje për ta mobilizuar opinionin për mizoritë që kryente regjimi serb ndaj shqiptarëve.

“Mori jehonë vrasja e mësuesit në prag të shkollës duke e mbajtur mësimin”.

“Rexhep Selimi ka qenë i pakontestueshëm për ta lexuar letrën atë ditë të caktuar. Mujë Krasniqi ka qenë figurë karakteristike me një mjekër kështu domethënëse të një guerili siç ka qenë ai. Sa i përket Dautit, ai ka qenë i ri dhe komandantët kanë dashur t’ia bëjnë një nder”.

Tutje, ai ka vazhduar të flasë edhe për rolin e Adem Jasharit në këtë ditë, duke thënë se nuk kanë dashur që ta ekspozojnë atë pasi që ai është marrë vendime me peshë për UÇK-në.

“Adem Jashari ka qenë një figurë karakteristike, kemi dashur ta mbrojmë dhe jo ta shfaqim në opinion e gjerë dhe të komentohet figura e tij. Ddoshta ka qenë edhe vendimi i tij që të mos dalë në publik dhe të merret me gjëra teknike. Komandanti ka marrë vendime më të fuqishme që kanë çuar peshë tek ne”.