Dalje nga kriza apo thellim i saj – Kuvendi nesër bën përpjekjen e 12-të të konstituimit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër (e mërkure) në ora 10:00 në përpjekjen e 12’të të konsitutimit.
Mosmarrëveshjet mes partisë fituese të zgjedhjeve Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës për emrin e kryeparlamentarit ka bërë që 11 seancat paraprake të dështojnë.
Vetëvendosje po insiston në emrin e Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Kuvendit, emër ky i papranueshëm për partitë opozitare të cilët e kanë quajtur ‘përçarëse’ figurën e saj, raporton Indeksonline.
Në tri seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, në votim të fshehtë, por këto përpjekje janë kundërshtuar ashpër nga PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.
Në përpjekje për dalje nga kriza, kryetari i Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka shkruar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, duke ja shtrirë dorën e bashkëpubimit dhe hyrjen në koalicion qeverisës.
Këtij interesimi i është kundërpërgjigjur sot gjatë ditës, Lumir Abdixhiku, i cili në letrën dërguar Kurtit ka propozuar qeveri tranzicioni, e cila do të përfshinte të gjitha partitë politike në vend.
Në këto rrethana ka pak shpresë që edhe në seancën e së mërkurës të bëhet konstituimi i kuvendit. /Indeksonline/