Dallaveret me patentë shoferë, përballen me akuza tre persona në rajonin e Prizrenit
Prokuroria Themelore në Prizrenka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe U.M., dhe I.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri L.B., me datë 15.07.2023 në Prizren, në poliklinikën “G.”, në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i poliklinkës, i autorizuar dhe i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave mjekësore për kandidatët për patentë shofer, i tejkalon autorizimet e tij duke lëshuar certifikata mjekësore për kandidatë për patentë shofer, në këtë rast për B.V., dhe B.Th., pa i kontrolluar personalisht, duke vërtetuar në mënyrë të pavërtetë se ata kishin kryer kontrollin mjekësor, edhe pse ndodheshin jashtë Kosovës në atë kohë, me ç’rast i ka mundësuar të njëjtëve përfitim në formën e regjistrimit e provimit për patentë shofer përmes Auto shkollave “S.” në Prizren dhe “F.” në Malishevë, me ç’rast emri i të njëjtëve dërgohet në Departamentin e Patentë Shoferëve së bashku me listën e kandidatëve të tjerë që fillojnë ligjëratat për patentë shofer, njofton prokuroria.
Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa, të pandehurit U.M., dhe I.G., në cilësinë e përfaqësuesve të auto-shkollave të lartëpërmendura, kanë përpiluar dhe dorëzuar kontrata dhe dokumente të rreme për kandidatët e lartëcekur, që pretendonin të pajiseshin me patentë shofer, duke i paraqitur sikur kishin ndjekur ligjëratat teorike, ndonëse ata ndodheshin jashtë territorit të Kosovës.
Më këto veprime, të pandehurit U.M., dhe I.G., secili veç e veç ka kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”..
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Indeksonline/

