75 Mall Live Search
21:23 / E Premte, 30 Janar 2026 / F.R

Dallaveret me vota/ 1 muaj paraburgim për 5 komisionerë të Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, sot ka mbajtur tri seanca dëgjimore lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të dyshuar për vepra penale kundër të drejtës së votimit dhe keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Gjyqtarët e procedurës paraprake kanë marrë vendim që katër të pandehurve, me inicialet A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P., t’u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërkaq, ndaj të pandehurit të pestë, N.B., është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, po ashtu deri më 28 shkurt 2026, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 i Kodit Penal, që ka të bëjë me moskryerjen me dashje të një detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.

Nga Gjykata bëhet e ditur se argumentimi i këtyre dyshimeve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale./IndeksOnline/