Dallaveret me vota në Podujevë, prokuroria autorizon policinë për nisje hetimesh
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës, më saktë, Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, për grumbullimin dhe mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale nga Kapitulli XVIII i Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK), kundër të drejtave të votimit.
Gjatë këtij procesi, egzistojnë dyshime se janë evidentuar parregullsi, përkatësisht mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim./Indeksonline/

