“Dallaverxhinjtë e votave”/ Ja ku do të dërgohen të arrestuarit e sotëm në Prizren
Rreth 100 persona janë arrestuar sot në Prizren, nën dyshimet për falsifikim të rezultateve zgjedhore gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në rajonin e Komunës së Prizrenit.
Burime të IndeksOnline brenda Policisë së Kosovës kanë konfirmuar se të gjithë personat e arrestuar do të dërgohen në burgun e Lipjanit, në një objekt që do të menaxhohet nga Policia e Kosovës.
Po ashtu, policia ka marrë në shfrytëzim edhe një pjesë të burgut të Gjilanit, i cili do të jetë në gjendje gatishmërie. Në rast se kapacitetet e burgut të Lipjanit mbushen, bartja e të arrestuarve do të vazhdojë edhe drejt Gjilanit.
Aktualisht, të arrestuarit po mbahen në stacionet policore në Prizren, ku janë duke u intervistuar, ndërsa në orët në vijim pritet të nisë transferimi i tyre drejt Lipjanit./IndeksOnline/

