75 Mall Live Search
08:53 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / Z S

Danimarkë: Kufizim moshe për mediat sociale

Në Danimarkë pritet të përcaktohet me ligj një moshë minimale ligjore për përdorimin e mediave sociale.

Qeveria në Kopenhagë ra dakord me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament për të vendosur në të gjithë vendin si kufi moshën 15 vjeç për lejimin e përdorimit të platformave të caktuara të mediave sociale.

Megjithatë prindërvedo t’u jepet mundësia që t’u lejojnë fëmijëve të tyre të regjistrohen në këto rrjete që në moshën 13 vjeç.

Ministria daneze e Çështjeve Digjitale deklaroi se legjislacioni synon të mbrojë më mirë fëmijët dhe të rinjtë në botën digjitale. Qëllimi i kësaj mase është t’u japë fëmijëve më shumë kohë për pushim, lojëra dhe zhvillim përpara se atë të krijojnë në rrjete sociale profile që mbartin rreziqe të caktuara.

Ende e paqartë se për cilat platforma është fjala

Në marrëveshjen politike nuk specifikohet se kur dhe se si do të zbatohen planet. Gjithashtu është e paqartë se cilat platforma të mediave sociale do të preken. Në marrëveshje thuhet vetëm se ligji do të vendosë kufizime për platformat më të mëdha, në të cilat përdoruesit mund të krijojnë profile publike dhe të cilat janë të lidhura në mënyrë të dukshme me rreziqe për fëmijët dhe të rinjtë. “Fëmijët dhe të rinjtë vuajnë nga çrregullime gjumi, humbasin aftësinë e tyre për t’u çlodhur dhe për t’u përqendruar dhe janë gjithnjë e më shumë nën presionin e marrëdhënieve digjitale në të cilat të rriturit nuk janë gjithmonë të pranishëm”, thuhet në deklaratë. Ky zhvillim nuk mund të ndalet vetëm nga asnjë prind, mësues apo kujdestar.

Pararojë e BE-së

Danimarka synon të jetë një nga shtetet e para anëtare të BE-së që ndërmerr këtë hap për kufizimin e përdorimit të mediave sociale. Danezët gjithashtu synojnë që ta bëjnë kthejnë këtë çështje në temë diskutimi në gjithë BE-në, sikurse njoftuan në korrik kur morën presidencën e Këshillit të BE-së.

Si shembull për kufizimet e mediave sociale shërben Australia. Në Australi është marrë tashmë vendimi që të rinjtë do të lejohen të përdorin platforma si TikTok, Snapchat, YouTube, Facebook ose Instagram vetëm nga mosha 16 vjeç e lart./Indeksonline/