“Danke Deutschland”/ Këto janë pajisjet motorike të cilat iu dhuruan Policisë së Kosovës!

Shumë motor për terren sot i janë dhuruar Policisë së Kosovës nga shteti gjerman. Motorët do të shërbejnë për të luftuar kontrabandën dhe kalimet ilegale të kufirit përgjatë zonës kufitare. Vlera e këtyre pajisjeve motorike është gjysmë milioni euro, raporton IndeksOnline.

Dorëzim pranimi i donacionit është bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë ku morën pjesë ambasadori gjerman, Jörg Rohde, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.

Ministri Sveçla i ka shprehur mirënjohje shtetit gjerman për bashkëpunimin.
Ai tha se Policia e Kosovës tashmë do të jetë me efikase për të kryer detyrat e saj me këto pajisje.

“Jemi takuar sot për të nënshkruar një kontratë mes qeverisë gjermane dhe Policisë së Kosovës, me ç’rast shteti gjerman na ofron ndihmën e nevojshme në mënyrë që policia të jetë sa më efikase”, ka thënë Sveçla.
Ndërsa ambasadori Rohde ka thënë se jemi këtu, për shkak të partneritetin prej dy dekadash.

“Ky donacion i sotëm shpresoj që do të kontribuojë në sigurinë tonë të përgjithshme. Bashkëpunimi ynë në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit dhe korrupsionit është jashtëzakonisht i ngushtë dhe këto tema janë përmendur edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.
Edhe zyrtarët nga Policia e Kosovës kanë falënderuar Gjermaninë për këtë ndihmë të madhe./IndeksOnline/