75 Mall Live Search
13:59 / E Martë, 16 Qershor 2020 / indeksADMonline

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Dardan Molliqajt për sulm ndaj ish- zv.kryeministrit, Haki Abazi

Një përleshje fizike që kishte ndodhur pas një debati të zhvilluar në televizionin T7, më 11 shtator 2019, midis kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD) Dardan Molliqaj, shoqëruesit të tij Fatos Sahiti dhe ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi, ka bërë që prokuroria të ngre një aktakuzë për këtë rast.

Debati i 11 shtatorit 2019, midis Molliqajt dhe Abazit, ishte zhvilluar me tensione e ofendime, që kishin ndikuar që pas debatit të përfundonin me përleshje fizike.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, më 14 shkurt 2020, për veprën penale “sulmi” ka akuzuar Dardan Molliqajn dhe shoqëruesin e tij, Fatos Sahitin.

Lajmin për “Betimi për drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 14.02.2020, ka ngritur aktakuzë ndaj personave me inicialet F.S., dhe D.M., në drejtim të veprës penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes, rastin e ka proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për trajtim të mëtejmë”, thuhet në përgjigjen e Ulajt.

Për këtë rast, në media ishin publikuar edhe pamjet e kësaj përleshjeje midis Molliqajt, shoqëruesit të tij dhe Haki Abazit. /BetimipërDrejtësi