20:26 / E Enjte, 03 Shkurt 2022 / SH F

Dardan Molliqaj lirohet nga paraburgimi

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është liruar nga paraburgimi.

Molliqaj ishte arrestuar të martën pak para futjes në emisionin Pressing në T7.

Ai kërkohej nga Policia për shkak se dyshohej që kishte sulmuar një zyrtar policor më datën 29 janar kur ishte mbajtur një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e ku të pranishëm ishin qindra njerëz.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit të datës 02.02.2022 kundër të pandehurit D.M. e ka refuzuar si të pa bazuar dhe ndaj të njëjtit ka caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor. Masa e paraqitjes në stacionin policor kundër të pandehurit D.M do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar që nga data 01.02.2022 deri më 01.03.2022. Konform nenit 178 paragrafi 4 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse i pandehuri D.M shkel masën e shqiptuar” thuhet në vendimin e Gjykatës.

PSD dhe Molliqaj ishin ankuar se arrestimi ishte bërë për arsye politike dhe se Molliqajt nuk i ishte treguar fletearresti.

Po ashtu, për arsye të njëjtë ishte arrestuar edhe aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani.

Të dyve u ishte shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë, por Megjuani ishte liruar dje pasi ishte arrestuar një ditë më herët.