13:28 / E Premte, 21 Shkurt 2020

Dardanet fitojnë turneun në Itali pa asnjë humbje

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave e përbërë prej vashave U16, U19 dhe U23 nën udhëheqjen e Kushtrim Munishit ka triumfuar në turneun ndërkombëtar “Il Calcio E’Rosa” që u zhvillua në Itali me ekipe të kolegjeve të ndryshme dhe me kombëtare tjera si Moldavia.

Në finalen të këtij turneu Dardanet arritën ta mposhtin pikërisht Moldavinë, me rezultat 3:1 dhe në këtë mënyrë turneun e mbyllën me bilanc prej katër fitoreve, tri në grupin B (Bolzanon 3;0, Lazion C.R.  8:0 dhe Uellsin 5:0) si dhe sot në finale Moldavinë 3:1.

Mund të thuhet lirisht se në të katër ndeshjet futbollistet e Kosovës kanë treguar jo vetëm lojëra të mira e cilësore, por  edhe kulturë të lartë sportive, karakter fituesi dhe imagjinatë të jashtëzakonshme për lojën e futbollit.

Ndeshja finale kundër Moldavisë ishte si qershia mbi tortë, një lojë e fortë ku rivali ishte jashtëzakonisht i mirë, por taktika e vendosur nga përzgjedhësi Munishi dhe shtabi teknik dhanë frytet e veta duke mundur Moldavinë me rezultat 3:1.

Moldavet ishin këmbëngulëse deri në fund por pa efekt. Të parat erdhën në epërsi moldavet përmes penalltisë në minutën e 32-të ku  shënoi Ceresku dhe vetëm dy minuta më vonë Kaltrinë Biçkaj po ashtu nga pika e bardhë barazoi shifrat, me të cilin rezultat edhe përfundoi pjesa e parë. Pjesa e dytë nisi furishëm nga vajzat tona, ku Loreta Lulaj shënoi për epërsinë 2:1. Dardanet nuk u ndalen as pas këtij goli dhe në minutën e 60-të Kaltrinë Biçkaj shënoi golin e tretë për ekipin dhe të dytin të saj pas një bashkëveprimi me Donjeta Halilajn. Me këtë rezultat edhe u mbyll ndeshja.

Shënuesja më e mirë e Kosovës është Loreta Lulaj e cila shënoi në të katër ndeshjet. Festa u bë edhe më madhështore pasi që edhe Kombëtarja U19 e meshkujve fitoi në finale kundër Moldavisë me rezultat 1:0.

Moldavia – Kosova 1:3   (1:1)

Mos i humb