21:54 / E Premte, 09 Qershor 2023 / Gj. Sh

Dardanët kryejnë stërvitjen e dytë në Hajvali

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e këtij muaji të vlefshme për kualifikimet Euro 2024, kundër Rumanisë (më 16 qershor) dhe kundër Bjellorusisë (më 19 qershor).

Nën drejtimin e përzgjedhësit Alain Giresse dhe stafit të tij teknik, 17 Dardanët që kanë arritur deri më tash në grumbullim kanë stërvitur me një intensitet pak më të shtuar se në ditën e parë, teksa nesër pritet që ekipi të jetë i kompletuar për të vazhduar punën intensive.

Përveç punës në fushën e gjelbër, në orët e paradites lojtarët kanë bërë ushtrime fitnesi në hotel.

Atmosfera është shumë e mirë, teksa futbollistët i presin dy sfidat e këtij muaji me padurim për të dhënë maksimumin e tyre. Edhe stërvitjen e radhës Kombëtarja do ta zhvillojë në Hajvali, nesër në orën 17:00.

.