75 Mall Live Search
16:26 / E Premte, 31 Tetor 2025 / Gj Sh

Dardanët U15 triumfojnë ndaj Armenisë

Kombëtarja e Kosovës U15 ka shënuar fitore në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut “UEFA Development Tournament U15” që po mbahet në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, në organizim të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Pas humbjes me rezultat minimal nga Maqedonia e Veriut (1:0), djelmoshat e drejtuar nga Ilir Nallbani realizuan fitore në duel me Armeninë, me shifrat 4:3.

Ndeshja ishte mjaft interesante dhe me kthesa në rezultat. Armenët kaluan në epërsi në minutën e shtatë, por vetëm dy minuta më pas Endri Avdimetaj barazoi shifrat 1:1, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.

I njëjti lojtar shënoi edhe golin e dytë për Kosovën, në minutën e 51-të, pasi paraprakisht armenët gjetën sërish golin e epërsisë në nismë të pjesës së dytë.

Armenia e pa vetën edhe një herë në epërsi, në minutën e 61-të, por këmbëngulësia e Dardanëve të rinj për ta mbyllur këtë ndeshje me fitore solli rezultat. Fillimisht Art Rizani barazoi për 3:3, derisa golin e fitores e realizoi Gent Statovci, në minutën e 74-t.

Ndeshjen e fundit në këtë turne Kosova U15 e zhvillon kundër Shqipërisë.