Dardanët vazhdojnë me stërvitje, për herë të parë grumbullohen të gjithë futbollistët

Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot me stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2024.
Për dallim nga dita e djeshme kur në stërvitje ishin të pranishëm vetëm 11 futbollistë, kësaj radhe përzgjedhësi Alain Giresse pati në dispozicion të gjithë futbollistët e grumbulluar, me ç’rast shpalosi pikëpamjet e tij dhe skemat e lojës për ndeshjen e parë kundër Izraelit.
Dëshira për ta nisur mbarë këtë cikël kualifikues vëretet tek secili prej futbollistëve dhe anëtarëve tjerë të ekipit kombëtar.
Ata nuk mund ta fshehin entuziazmin e tyre për të përfaqësuar me dinjitet kombin e tyre në fushën e gjelbër dhe për t’i bërë krenarë tifozët dardanë.
Për ditën e mërkurë, përzgjedhësi Giresse ka planifikuar dy seanca stërvitore. E para do të mbahet në Hajvali, në orën 10:30, derisa seanca e dytë në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 16:30.